Shqipëria

MEPJ-ja mirëpret hapjen e ambasadës së Azerbajxhanit


Diplomacia shqiptare e ka cilësuar hapjen e ambasadës së Azerbajxhanit në Shqipëri si një vendim të mirëpritur.

Ky i fundit, sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, do të forcojë më tej dialogun politik dhe do të intensifikojë marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve miqësore.

Parlamenti azerbajxhanas u dakordësua të premten e 18 nëntorit për hapjen e ambasadave të Azerbajxhanit në Shqipëri, Izrael dhe Kenia.

Sipas projektligjeve, ambasada e Azerbajxhanit në Izrael do të vendoset në kryeqytetin Tel Aviv, ambasada në Shqipëri në Tiranë dhe ambasada në Kenia në Nairobi.

Pas diskutimeve, projektet u hodhën në votim dhe u miratuan.

Më herët, presidenti azerbajxhanas Ilham Aliyev nënvizoi gjatë vizitës së tij në Tiranë nevojën e bashkëpunimit të ngushtë.

Kjo, duke falënderuar gjithashtu Shqipërinë për mbështetjen që ka dhënë ndaj Baku-t në konfliktin e zonës Nagorno-Karabakh, mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

“E vlerësojmë gjithë mbështetjen që na keni dhënë për çështjen e Nagorno-Karabakh. Jam shumë mirënjohës”, u shpreh Aliyev.

Për të TAP-i mund të jetë thjesht gjeneza e bashkëpunimit mes vendeve, i cili mund të shtrihet edhe në fusha të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore