Lajme

Meksika, një hap afër legalizimit të marihuanës


Dhoma e Deputetëve në Meksikë ka miratuar një projektligj, sipas të cilit të legalizohet përdorimi rekreativ i kanabisit.

Vendimi pritet të shkojë në Senat për një votim përfundimtar. Partia e presidentit Andrés Manuel López Obrador është e sigurt se do të kalojë.

Diçka e tillë do ta bënte Meksikën një nga tregjet më të mëdha në botë të rregulluar për kanabis.

Autoritetet meksikane kanë patur një luftë të përgjakshme kundër karteleve të fuqishme të drogës.

Sipas agjencisë mediatike BBC, pasojat kanë qenë me mijëra vdekje në vit.

Ligjvënësit votuan në favor të projektligjit, me 316 vota pro dhe 129 kundër.

Legjislacioni do t’u lejonte përdoruesve të licencuar të mbanin deri në 28 gramë marihuanë dhe të rritnin deri në tetë bimë për përdorim personal.

Aktualisht, është e paligjshme të mbash më shumë se pesë gramë.

Gjithashtu, raporton agjencia e lajmeve, Reuters, kjo do të mundësojë leje të tjera për kultivimin, transformimin, kërkimin dhe eksportin ose importin e kanabisit,.

Obrador ka argumentuar se ligji mund të ndihmojë në përballjen e karteleve të fuqishme të drogës në vend.

Një ligjvënës nga partia e tij tha se ligji “do të ndihmonte për të arritur paqen”.

Sidoqoftë, kritikët kanë argumentuar se ligji mund ta bëjë marihuanën më të arritshme për fëmijët. Disa të tjerë kërkojnë që t’ju lejohet të kultivojnë më shumë se tetë bimë.

Nëse ligji miratohet, Meksika do të bëhej vendi i tretë në botë, pas Uruguait dhe Kanadasë, që legalizon kanabisin për përdorim rekreativ.

Disa kompani kanadeze dhe nga California, të cilat merren me kultivimin e kanabisit, janë të interesuara të shfrytëzojnë mundësinë e tregut të ri të paraqitur nga legjislacioni.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore