Lajme

Mehmeti: Rritja ekonomike për vitin 2022 në Kosovë është rreth tre për qind


Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet dhe Financa ka thënë se ka pasur ngadalësim të rritjes ekonomike në vitin 2022.

Sipas parashikimeve të tij, rritja ekonomike në Kosovë është diku rreth tre për qind.

“Rritja e lartë e aktivitetit ekonomik e realizuar në vitin 2021 pritet të ngadalësohet në vitin 2022 dhe parashikimet tona janë që të jetë diku rreth 3 për qind. Ngadalësimi i rritjes ekonomike pritet të jetë kryesisht pasojë e rritjes më të ulët të kërkesës së brendshme dhe rritjes së deficitit të eksportit neto”.

Mehmeti, theksoi se pret që të ketë rimëkëmbje ekonomike pasi që rastet me COVID-19 janë zvogëluar.

“Përderisa rreziqet nga pandemia janë zvogëluar, rritja e rimëkëmbjes ekonomike pritet të ngadalësohet nga pasojat e tashme të dy krizave, e para është pengesat ende evidente nga zinxhiri i furnizimit nga pandemia dhe presioni shoqëruese të inflacionit të kombinuara me efektet e kombinuara të luftës në Ukrainë që e përforcojë edhe më tej rritjen e çmimeve, dobësimin e fuqisë blerëse dhe rënien e besueshmërisë”, theksoi ai.

Ndërsa për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka kërkuar hapa konkret nga BQK-ja.

Komisioni për Buxhet dhe Financa.

“Në raport thuhet se BQK-ja mbetet e kufizuar në marrjen e politikave për efekte të stabilizimit të çmimeve. A mund të na thoni pse e keni këtë përkufizim që keni probleme në marrjen e hapave të tjerë në politikave e stabilizimit të çmimeve”, deklaroi Shala.

Por që guvernatori Mehmeti u arysetua duke thënë se inflacioni në Kosovë është i importuar.

“Çdo masë e marrë në këtë drejtim neve na çon vetëm në starflacion, pra ka shumë efekte dhe pengon rritjen e aktiviteteve ekonomike në vend. Përderisa inflacionin e kemi të importuar nga jashtë faktikisht me rritjen e përqindjes së rezervës të detyrueshme ne shumë pak do të mund të bënin në këtë drejtim dhe anën tjetër dëmi do të ishte i madh sa i përket pengesës që do të kishte në rritjen ekonomike në vend”, shtoi Mehmeti.

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Jeta Statovci, deklaroi se paralajmërimet për rritje të interesit për kreditë ekzistuese dhe ato të ardhshme do të jenë të dëmshme për ekonominë familjare.

“Thuhet që BQK-ja ka paralajmëruar rritje të interesit që do t’i prekë kreditë e ardhshme, por edhe kreditë ekzistuese. Nëse i analizojmë disa prej indikatorëve, shohim se ky është një sektor me një profit pozitiv dhe të lartë”.

“Vetëm në shtatë muajt e vitit 2022 ka profit neto diku 83 milionë, që krahasim me vitin e kaluar ka qenë 66.3 milionë. Kjo ndodh pa e prek normën e interesit, mirëpo vetëm përmes lëvizjeve që kemi diskutuar që kanë të bëjnë me tarifat dhe ndryshimet e çmimeve të sistemit bankar”.

Por që guvernatori Mehmeti bëri të ditur se janë duke punuar që të ruhet norma e tanishme e interesit.

“Jemi duke punuar në drejtim të asaj që të ruajmë normën e interesit, por ju e dini se Kosova është ekonomi e hapur edhe me Kushtetutë, ku oferta dhe kërkesa janë ato që përcaktojnë çmimet”, shtoi Mehmeti.

Komisoni ka vendosur që raportin për BQK-në gjatë vitit 2021 ta përcjellë në seancë plenare për votim.

Ndonëse Qeveria e Kosovës në çdo konferencë e intervistë amplifikonte faktin e një rritjeje ekonomike dyshifrore në vend si dhe parashikonte se gjatë këtij viti rritja ekonomike do të jetë 7.8 për qind, projeksionet e dala nga Fondi Monetar Ndërkombëtare me të dhënat e përditësuara për muajin prill 2022, e thonë të kundërtën.

Projeksioni i FMN-së, në muajin prill të këtij viti parashikonte një rritje ekonomike prej 2.8 për qind.

E lidhur me këtë njohësit e fushës së ekonomisë, patën thënë Albanian Post’it, se një projeksion i tillë ka qenë i prishtëm pasi që rritja ekonomike e Kosovës është i bazuar vetëm në dy indikatorë ekonomikë – rritja e konsumit dhe e importit, e të cilat rrjedhimisht nuk kontribuojnë në një ngritje të qëndrueshme.

Ekonomia e Kosovës u rrit me 10.5 për qind në vitin 2021, pasi viti 2020 ishte vit i izolimit për shkak të pandemisë COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore