Lajme

Mehmeti: Hetimet për vrasjen e trefishtë në Gllogjan ende nuk janë në fazën përfundimtare


Samedin Mehmeti, Drejtor i Policisë së Kosovës

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka raportuar të premten në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Hetimet për vrasjen e trefishtë në Gllogjan ende nuk janë në fazën përfundimtare, ka treguar Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Mehmeti theksoi se janë duke i pritur edhe disa rezultate të ekspertizave të dërguar jashtë vendit.

Drejtori Mehmeti, duke iu përgjigjur kryetarit të Komisionit, Bekë Berisha për vrasjet e pazbuluar për 20 vjet, theksoi se këto raste janë dorëzuar në prokurori.

“Sa përket rasteve të pazbuluara nga e kaluara, rastet janë dorëzuar në prokurori. Një pjesë të punës rreth rastit të caktuar e bartë edhe prokurori përkatës. Sa i përket rastit të fundit në Gllogjan ne kemi bërë angazhimet tona”.

“Aktualisht jemi duke punuar, për këtë rast kemi edhe arrestime. Hetimet ende nuk janë në fazën përfundimtare. Hetimet janë ende në një fazë të caktuar, s’mundemi me thënë në fazën fillestare, por kanë bërë disa progrese, jemi duke i pritë edhe disa ekspertiza të cilat i kemi dërguar jashtë vendit, jemi rezultatet duke i pritë. Po ashtu janë duke u pritë edhe disa rezultate të tjera të cilat ndërlidhen me çështjet e ndryshme teknike”.

“Aktualisht mendoj që kemi kryer një pjesë të punës pas këtij rasti, mirëpo mbetet ende për të punuar”, theksoi Mehmeti.

Samedin Mehmeti, Drejtor i Policisë së Kosovës

Kryetari i këtij komisioni Bekë Berisha, përgëzoi Policinë e Kosovës për zgjidhjen e vrasjes së trefishtë në Gllogjan.

“Janë bërë vite që në Kosovë ka vrasje shumë enigmatike. Ju përgëzoj për vrasjen që është zbuluar në Gllogjan, sepse u frikësuam që të do të jetë ‘hetimet vazhdojnë’. Për ‘hetimet vazhdojnë’, qysh jemi mësuar, tani po ua shohim sherrin, sepse disa po bëhen politike. Tani këto vrasje politike, enigmatike po prodhojnë deputetë, duke u thirrur në emër të tyre”.

Ai theksoi se në qytetin e Pejës ka një numër të madh të vrasjeve enigmatike, duke kërkuar përgjigje se kush është përgjegjës për zbulimin e tyre.

“Keni përvojë të madhe, qe 20 vjet ju shkoni në punë prej orës 8 deri 16:00, edhe për 20 vjet asnjë vrasje nuk mundet me qenë aq profesionale sa jeni ju të thirrur edhe të kualifikuar në vendet e jashtme për t’i zbuluar këto gjëra. Pse nuk zbulohen këto?”.

“Shqetësimi më i madh është, krejt qytetarët e dinë çka ka ndodhur, veç ju s’i dini. Në Istog është vrarë Nexhat Muslijaj në shkollë, është prerë në fyt njeri, një ditë pas zgjedhjeve. Edhe kanë devijuar hetimet, ku nuk dihet asgjë. Një raste tjetër Muhamet Metaj, është zhdukur, edhe nuk dihet gjë për fatin e tij. Edhe janë devijuar hetimet, a ka mundësi që të devijohen hetimet prej Policisë së Kosovës, për t’i dhënë kahje kot për të mos u zbuluar kurrë”, tha Berisha.

Berisha gjithashtu ka ngritur dyshime për moszbulimin e shumë vrasjeve enigmatike nga Policia e Kosovës.

Por, sipas Mehmetit gjatë kësaj periudhe vetëm një vrasje nuk është zbuluar, prej 18 rasteve sa kanë qenë.

”Sa i përket vrasjeve, ne jemi angazhuar që të gjitha vrasjet të cilat kanë ndodhur në këtë periudhë kohore, është vetëm një vrasje prej 18 vrasjeve sa kanë ndodhur në këtë periudhë kohore, pra, është vetëm një që nuk është zbuluar”, deklaroi Mehmeti.

Berisha kërkoi sqarim edhe për ndërrimin e hetuesve nëpër regjione.

“Dua me pyet, hetuesitë nëpër regjione, nëpër stacione, a ndërrohen ndonjëherë e që ka shumë vrasje enigmatike, a është përgjegjës ndokush, a duhet ato edhe një herë të kthehen në pah dhe me të trajtohen prapë. Çka është duke ndodhur në këtë aspekt”, tha Berisha.

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Mehmeti ju kundërpërgjigj duke thënë se “sa i përket ndryshimeve të ekipeve ne aktualisht jemi duke e ndërtuar një sistem dhe jemi duke kërkuar përgjegjësi prej hetuesve, jo vetëm për vrasje, por për të gjitha rastet që hetuesit i kanë në dispozicion të tyre, jemi duke kërkuar përgjegjësi për nivelin e zbulueshmërisë”.

Si ndodhi ngjarja në Gllogjan?

Sulmi ndaj autobusit kishte ndodhur të premten e 26 nëntorit, rreth orës 19:00 nga një person i maskuar i cili kishte nxënë pritën autobusit, duke i dalë përballë dhe shtënë me breshëri në drejtim të tij.

Raporti i policisë tregoi se dyshimet e para janë se sulmuesi që lëshoi breshëri plumbash, aktin e kreu me një armë të tipit AK-47, apo siç njihet ndryshe si kallashnikov.

Të dhënat e para nga policia ishin se “i dyshuari gjendet në arrati”, kurse “rasti vazhdon në procedurë hetimore”.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, ka treguar për Albanian Post se policia ka arsye të besojë se “ka qenë vetëm një sulmues me armë”, porse ka refuzuar që në këtë fazë të flas më shumë për motivet e sulmit.

Autobusi i sulmuar në Gllogjan të Deçanit. Foto nga vendi i ngjarjes

Ai gjithashtu ka refuzuar të tregojë se bazuar në çfarë të dhënash policia ka ardhur në përfundimin se ishte sulmues i vetëm ai që vrau dy nxënësit dhe shoferin e autobusit.

Ndërsa, policët që po vazhdojnë të qëndrojnë në vendin e ngjarjes, të cilët nuk janë të autorizuar të flasin zyrtarisht për media, i kanë thënë ekipit të Albanian Post se parë edhe nga trajektorja dhe vendi ku kanë përfunduar plumbat, target ishte shoferi i autobusit.

E po në ditën e 27 nëntorit, banorët e Deçanit në shenjë proteste dhe solidarizimi me familjet e viktimave kanë ndezur qirinj në fshatin Gllogjan.

Ndërkaq, të dielën e 28 nëntorit, është bërë varrimi i tre personave që humbën jetën si pasojë e këtij sulmi.

Prokuroria arreston tre persona për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Janë arrestuar tre persona të dyshuar për vrasjen e cila ka ndodhur para disa ditësh në fshatin Gllogjan”, ka thënë Kryeprokuror i Prokurorisë së shtetit në Pejë, Agim Kurmehaj.

Të arrestuarit për rastin në Gllogjan, akuzohen për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, përmes një konference për media ka bërë të ditur se seanca ndaj tre personave të arrestuar nën dyshimin e vrasjesë së trefishtë në Gllogjan, sapo ka përfunduar.

Nikçi ka bërë të ditur se prokurorja e çështjes e ka parashtruar kërkesën për masën e paraburgimit për tre personat e dyshuar.

“Tre pesona janë të ndaluar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, dhe plagosjen e një personi. Me ç’rast prokurorja e rastit brenda afatit ka parashtruat kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit. Këtë kërkesë e ka elaboruar në seancën e sotme dhe shpresojmë që gjyqtari të merr vendime në lidhje me këtë kërkesë”, ka thënë Zëdhënësi i Prokurorisë.

“Çështja është e ndijshme, andaj duhet të jemi të rezervuar për çështjen”, tha ai.

Pyetur se të arrestuarin a janë të ndaluarën “për bashkë-kryerje të veprës, apo për vepra të kryera veçmas”, Nikçi tha se “ajo që mund të them është se të njëjtin dyshohen për veprën vrasje e rëndë dhe armë-mbajtje pa leje”.

Familja e shoferit të vrarë në Gllogjan më 26 nëntor të këtij viti, ka mohuar kategorikisht mundësinë e implikimit dhe ndikimit eventual të familjarit të tyre tashmë të ndjerit, Gani Gjokaj, në vetëvrasjen e një vajze në Gllogjan.

“Po të kishte diçka të vërtetë këtu, familja e asaj çike ishte dashur të na dërgoj njerëz sipas traditës dhe ia kishim gjetë çaren kësaj pune, ishim përgjigj, por ne nuk kemi marrë asnjë fjalë, asnjë ‘selam’ prej askujt për këta dhe ato fjalë nëse kanë thënë ashtu ata që u arrestuan, janë vetëm me e arsyetu veten”, ka thënë babai i shoferit të vrarë, Xhafer Gjokaj për KOHA.

“Djali im nuk ka qenë i tillë, hyni këtu e deri në Pejë se nuk mundesh me gjet dikë që flet keq për të”, ka vazhduar ai.

“Nëse i paska pas hak dikujt, pse vrasësit kanë vendosur maska kur kanë shtënë drejt autobusit, kur vritet dikush për hakmarrje vritet hapur dhe merret përgjegjësia, e jo kështu”, ka shtuar i njëjti.

Gjokaj, i cili është rreth të 80-tave, ka thënë të dielën se pret që shteti të zbardh tërë rastin dhe të shqiptojë dënimet më të rënda për vrasësit.

“Jam i kënaqur me arrestimet dhe pres dënimet më të rënda për vrasësit që bën masakër edhe në nxënës”.

I pyetur nëse ai dhe familja e tij po i njihnin të arrestuarit, emrat e të cilëve u dhanë gjerësisht në media një ditë më parë, babai i viktimës ka mohuar një gjë të tillë.

“Jo nuk i njohim, Gllogjani është i madh, ata që thanë se janë arrestuar, nuk dimë send kush janë e tek janë”, ka shtuar ai.

Të shtunën në mbrëmje, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, gjatë një konference të jashtëzakonshme ka bërë të ditur se janë arrestuar tre persona të dyshuar për vrasjen e trefishtë.

Ai ka theksuar se pas punës intensive disa ditore, me vendimin e prokurores së çështjes janë arrestuar tre personat e dyshuar dhe të njëjtëve iu ka caktua masa e arrestit prej 48 orësh.

Ndërsa, gjatë ditë së diel, në emër të familjes Mehmetaj nga Deçani, ka reaguar Kastrioti pasi Policia e Kosovës ka arrestuar Halil Mehmetaj dhe dy djemtë e tij, Kreshnik edhe Malsor Mehmetaj, si të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Deçan.

Ai përmes një postimi në Facebook e ka mohuar në mënyrë eksplicite se familjarët e tij janë fajtorë, duke thënë se “babai dhe dy vëllezërit e tij janë të pafajshëm”.

“Babai ka dhjetëra bashkëfshatarë dëshmitar që ka qenë me të kur ka ndodh tragjedia”, ka shkruar Mehmetaj në Facebook.

Sipas tij, “vëllai Malsori ka qenë në një vend të punës në Gjakovë kur rasti ka ndodhur” dhe se “këtë mund ta dëshmojnë edhe kamerat”.

“Vëllai i madh posedon fakte që ka qenë i operuar, kemi qenë të dytë bashkë në shtëpi”, ka shtuar ai.

30 ditë paraburgim për tre të akuzuarit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e parashtruar nga Prokuroria Themelore në Pejë për masën e paraburgimit me kohëzgjatje prej tridhjetë ditësh të të pandehurve H.M, K.M, dhe M.M, të cilët janë ndaluar nën dyshimet për vrasjen e trefishtë që ndodhi në Gllogan të Deçanit.

Gjykata bën të ditur se ekziston dyshimi se të njëjtit mund të kenë kyer veprën për të cilën janë arrestuar.

“Gjykata ka aprovuar propozimin e prokurorisë për caktim të paraburgimit duke pas parasysh dënueshmërinë e lartë të vepres penale nga neni 173 i KPRK-se, faktit se ende nuk janë dëgjuar dëshmitarët dhe të dëmtuarit, fakti se bëhet fjalë për të pandehur që kanë lidhje familjare si dhe duke pas parasysh peshën e veprës dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra dhe pasojat e mëdha të shkaktuar me këtë rast”,

“Rrethana këto që tregojnë rrezikun real se me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri apo nën një masë tjetër të sigurisë, të njejtit do të arratisen, do të ndikojnë në dëshmitar osë të dëmtuar, të fshehin prova si dhe të bashkërendojnë mbrojtjen e tyre e me kete te pamundesojne zbardhjen e plote te rastit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Pejë.

Gjykata sipas detyrës zyrtare vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurve në procedurë mirëpo, gjeti se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Agim Musliu, për rastin në Gllogjan – të arrestuarit kanë parcelë toke afër lokacionit të ngjarjes

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, ka prezantuar një skicë përmes të cilës e ka shpjeguar ngjarjen tragjike të ndodhur në Gllogjan të Deçanit.

Musliu ka thënë se në afërsi të lokacionit ku autobusi kishte ndaluar, gjendet një parcelë në pronësi të të arrestuarve dhe ai ka shprehur dyshimet e veta se “të pandehurit mund të kenë fshehur armën aty”, disa ditë para se të ndodhte tragjedia.

Agim Musliu – Ekspert i çështjeve të sigurisë

“Menjëherë afër ku është ndal autobusi, këta të arrestuarit e kanë një arë në pronësi të tyre, menjëherë afër ku ka ndodhur vrasja. Prej atij vendi deri te vendbanimi, deri te rruga ‘Agron dhe Gazmend Mehmetaj’, që e mban emrin e dy dëshmorëve është distanca rreth, nëse ecni në këmbë 15 min, ecje normale”, ka thënë Musliu.

“Nëse janë këta vrasësit dhe nëse ai ka shkuar në shtëpi të tyre, nëse shkoni me veturë diku 3 minuta e gjysmë. Në vendin ku u ndal autobusi, pasi kanë shtënë në të, në afërsi është ara, është një gardh i vogël dhe ka drunj, që potencialisht vrasësi i cili ka vrarë 3 njerëz në këtë fshat, sigurisht ka qenë i familjarizuar ekziston mundësia që mu këtu gjatë ditës ose dy ditëve paraprakisht ka fshehur armën apo atë çka iu ka deshtë dhe ka shku pa pengesë dhe pa rënë në sy dhe e ka marrë”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore