Lajme

Familjarët e shoferit të vrarë: I ndjeri s’ishte i përfshirë në vetëvrasjen e vajzës nga Gllogjani


Fotografia nga vendi i ngjarjes ku shihet autobusi i cili ishte sulmuar me breshëri plumbash në Gllogjan të Deçanit ku me ç'rast kanë mbetur të vrarë tre persona

Familja e shoferit të vrarë në Gllogjan më 26 nëntor të këtij viti, ka mohuar kategorikisht mundësinë e implikimit dhe ndikimit eventual të familjarit të tyre tashmë të ndjerit, Gani Gjokaj, në vetëvrasjen e një vajze në Gllogjan.

“Po të kishte diçka të vërtetë këtu, familja e asaj çike ishte dashur të na dërgoj njerëz sipas traditës dhe ia kishim gjetë çaren kësaj pune, ishim përgjigj, por ne nuk kemi marrë asnjë fjalë, asnjë ‘selam’ prej askujt për këta dhe ato fjalë nëse kanë thënë ashtu ata që u arrestuan, janë vetëm me e arsyetu veten”, ka thënë babai i shoferit të vrarë, Xhafer Gjokaj për KOHA.

“Djali im nuk ka qenë i tillë, hyni këtu e deri në Pejë se nuk mundesh me gjet dikë që flet keq për të”, ka vazhduar ai.

“Nëse i paska pas hak dikujt, pse vrasësit kanë vendosur maska kur kanë shtënë drejt autobusit, kur vritet dikush për hakmarrje vritet hapur dhe merret përgjegjësia, e jo kështu”, ka shtuar i njëjti.

Gjokaj, i cili është rreth të 80-tave, ka thënë të dielën se pret që shteti të zbardh tërë rastin dhe të shqiptojë dënimet më të rënda për vrasësit.

“Jam i kënaqur me arrestimet dhe pres dënimet më të rënda për vrasësit që bën masakër edhe në nxënës”.

Fotografia nga vendi i ngjarjes ku shihet autobusi i cili ishte sulmuar me breshëri plumbash në Gllogjan të Deçanit ku me ç’rast kanë mbetur të vrarë tre persona

I pyetur nëse ai dhe familja e tij po i njihnin të arrestuarit, emrat e të cilëve u dhanë gjerësisht në media një ditë më parë, babai i viktimës ka mohuar një gjë të tillë.

“Jo nuk i njohim, Gllogjani është i madh, ata që thanë se janë arrestuar, nuk dimë send kush janë e tek janë”, ka shtuar ai.

Të shtunën në mbrëmje, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, gjatë një konference të jashtëzakonshme ka bërë të ditur se janë arrestuar tre persona të dyshuar për vrasjen e trefishtë.

Ai ka theksuar se pas punës intensive disa ditore, me vendimin e prokurores së çështjes janë arrestuar tre personat e dyshuar dhe të njëjtëve iu ka caktua masa e arrestit prej 48 orësh.

Agim Kumrehaj

Ndërsa, gjatë ditë së diel, në emër të familjes Mehmetaj nga Deçani, ka reaguar Kastrioti pasi Policia e Kosovës ka arrestuar Halil Mehmetaj dhe dy djemtë e tij, Kreshnik edhe Malsor Mehmetaj, si të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Deçan.

Ai përmes një postimi në Facebook e ka mohuar në mënyrë eksplicite se familjarët e tij janë fajtorë, duke thënë se “babai dhe dy vëllezërit e tij janë të pafajshëm”.

“Babai ka dhjetëra bashkëfshatarë dëshmitar që ka qenë me të kur ka ndodh tragjedia”, ka shkruar Mehmetaj në Facebook.

Sipas tij, “vëllai Malsori ka qenë në një vend të punës në Gjakovë kur rasti ka ndodhur” dhe se “këtë mund ta dëshmojnë edhe kamerat”.

“Vëllai i madh posedon fakte që ka qenë i operuar, kemi qenë të dytë bashkë në shtëpi”, shtoi ai.

Reagimi i Familjarit të tre të arrestuarve në rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan

Si ndodhi ngjarja?

Sulmi ndaj autobusit kishte ndodhur rreth orës 19:00 më 26 nëntor nga një person i maskuar i cili kishte nxënë pritën autobusit, duke i dalë përballë dhe shtënë me breshëri në drejtim të tij.

Raporti i policisë tregoi se dyshimet e para janë se sulmuesi që lëshoi breshëri plumbash, aktin e kreu me një armë të tipit AK-47, apo siç njihet ndryshe si kallashnikov.

Më 28 nëntor, në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit, iu është dhënë lamtumira e fundit dy nxënësve dhe shoferit të autobusit që u vranë në sulmin e ditës së premte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore