Lajme

Mëdyshja e vizitorëve amerikanë kërcënon rimëkëmbjen e udhëtimeve evropiane


Linjat ajrore dhe hotelierët kanë paralajmëruar se konflikti në Ukrainë po bën që udhëtarët amerikanë të ndalojnë vizitën në Evropë.

Por kjo pritet ta ngadalësojë rimëkëmbjen e gjatë të industrisë nga pandemia.

Shefi ekzekutiv i një grupi irlandez hotelesh, Dermot Crowley, ka thënë se shqetësimi për pushtimin rus të Ukrainës “mund t’i bëjë amerikanët e veriut nervoz për ardhjen në Evropë”.

Kurse një drejtues i një linje ajrore amerikane ka thënë se turistët amerikanë ka të ngjarë të shtyhen të vizitojnë pjesë të kontinentit, veçanërisht në Evropën Qendrore ose Lindore.

Javën e kaluar, aeroporti Heathrow ka paralajmëruar se “shqetësimet nga udhëtarët amerikanë për luftën në Evropë” po kontribuonin në “pasiguri të madhe” në lidhje me numrin e pasagjerëve këtë vit.

Sakaq, një kompani udhëtimesh ka treguar se 47 për qind e amerikanëve që planifikonin udhëtime në Evropë kishin vendosur të “prisnin” se si do të shkojë situata në Ukrainë.

Shumë drejtues të industrisë kanë treguar se pasagjerët nga SHBA-të janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj udhëtimit pranë zonave të konfliktit.

Kriza në Ukrainë ka ngjallur kujtime të luftës së Gjirit mes viteve 1990-1991, kur turizmi nga Amerika e Veriut në Evropë u shemb.

Edhe të dhënat e rezervimeve të fluturimeve nënvizojnë frikën e drejtuesve të udhëtimit.

Në javën pas fillimit të aksionit ushtarak, rezervimet për të gjitha vendet evropiane përveç Belgjikës, Islandës dhe Serbisë ranë nga 10 deri në 30 për qind.

Ato ranë më së shumti për zonat më afër konfliktit si Bullgaria, Polonia dhe Hungaria, ku rezervimet e fluturimeve ranë deri në 50 për qind në disa shtete.

Tregu transatlantik është kritik për linjat ajrore evropiane. Ai përfshin linja si British Airways dhe Virgin Atlantic

Transportuesit ishin në pritje të një rikthimi të shpejtë të numrit të pasagjerëve para pandemisë deri në verë.

Nëse kriza vazhdon të godasë kërkesën për udhëtime, industria do të përballet me një vit të tretë trazirash që nga fillimi i pandemisë, si ndër sektorët e parë që u prekën nga mbyllja e kufijve.

Nga ana tjetër, shumë nga linjat ajrore kanë borxhe dhe një goditje tjetër ndaj të ardhurave do të ushtronte tendosje shtesë në bilancet e tyre.

Veçanërisht hotelet luksoze, tashmë po luftojnë edhe me mungesën e ardhjeve aziatike në Evropë prej kufizimeve të rrepta COVID që mbeten në fuqi në Kinë dhe Japoni.

 

Marrë nga “Financial Times”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore