Sport

Mediume të mëdha botërore shkruajnë për suksesin e Kiana Kryeziut


Kosova po merr vëmendje çdo herë e më shumë në arenën sportive, ku së fundmi mediume të ndryshme ndërkombëtare kanë shkruar për suksesin historik të skiatores, Kiana Kryeziut.

“Gara në sllallomin gjigant në Lojërat Olimpike të Pekinit do të jetë një hap gjigant për 17-vjeçaren Kiana Kryeziu dhe vendin e saj, Kosovën”.

“Kryeziu është sportistja e parë nga Kosova në Lojërat Dimërore pasi ka përmbushur standardin kualifikues gjatë garave të zhvilluara në Itali”, shkruan “The Washington Post”.

Gjithashtu edhe mediumi i njohur britanik, “DailyMail”, i ka kushtuar një artikull 17 vjeçares, duke shkruar “realizohet ëndrra për skiatoren kosovare, Kiana Kryeziun”.

“Gara në sllallomin e madh në Lojërat Olimpike në Pekin do të jetë një hap i madh për 17-vjeçaren Kiana Kryeziu dhe vendin e saj Kosovën”, shkruan më tej “DailyMail”.

Ndërsa, Kiana është cituar të këtë thënë: “Vërtet nuk e prisja që do të ndodhte kaq herët. Ishte njëra prej synimeve të mia më të mëdha. Ishte njëra prej ëndrrave të mia dhe tani është përmbushur.”

Suksesit të Kianës iu gëzua edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, të cilët kanë uruar Kryeziun për këtë sukses.

“Urime 17 vjeçarja Kiana Kryeziu. Kiana do të garojë për Kosovën në eventin gjigant të sllallomit të femrave në Lojërat e ardhshme Olimpike Dimërore”, ka shkruar kjo ambasadë në Facebook.

Kujtojmë që Kosova do të përfaqësohet nga ky skitarë Lojërat Olimpike Dimërore, “Pekini 2022”.

Përveç Kianës, Kosovën do ta përfaqësojë edhe Albin Tahiri, i cili është sportisti i parë që ka përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore, ato të PyeongChang 2018 në Korenë e Jugut.

Derisa kjo do të jetë hera e dytë për të që do të marrë pjesë në një Olimpiadë Dimërore, i cili do të garojë në katër disiplina të garës me ski.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore