Lajme

Mediat serbe: Vulin emërohet drejtor i BIA-s


Aleksandër Vulin

Ndonëse ende nuk është e konfirmuar, ish-ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin po raportohet se është emëruar drejtor i Agjencisë serbe të Zbulimit, e njohur si BIA.

Lajmin për këtë emërim kanë dhënë disa media në Serbi, përfshirë edhe Radio Televizionin shtetëror, RTS, i cili tha se vendimi u mor nga Qeveria e Serbisë.

Para Vulinit drejtor i BIA-s, ishte Bratisllav Gashiç, tani ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë.

BIA është një shërbim civil i sigurisë kombëtare të Serbisë.

Ajo është përgjegjëse për mbrojtjen e sigurisë së këtij vendi dhe, ndër të tjera, për zbulimin dhe parandalimin e aktiviteteve që, siç thuhet, synojnë cenimin ose rrëzimin e rendit të vendosur me Kushtetutën e Serbisë.

Vulin njihet për deklaratat e tij etno-nacionaliste dhe irridentiste për të krijuar të ashtuquajturën “Botë Serbe”, e cila, sipas tij, do të bashkonte “të gjithë serbët kudo që janë” brenda asaj që ai e quan “Botë Serbe”.

“Bota Serbe”, viteve të fundit, është një politikë e lansuar pikërisht nga korrieri i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pra, e njeriut që udhëheq aktualisht departamentet e mbrojtjes dhe të policisë në Serbi.

Ai në funksion të elaborimit të ideve të sferës private të mendimeve dhe aspiratave të Vuçiç-it, si zëdhënës i ideve për të cilat presidenti i tij s’flet, e ka komoditetin, që publikisht, t’i hedh këto ide serbo-madhe, në mënyrë që të çlirojë Vuçiç-in nga barra e të dhënit përgjigje për këto ambicie të errëta të Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore