Lajme

Më shumë rusë në Serbinë pa viza


Qendra e komunitetit Krov ndodhet në një apartament të vogël në katin e fundit në qendër të Beogradit.

Dhoma kryesore e drunjtë të kujton bodrumet e partive gjermanoperëndimore të viteve 1970.

Është një qendër për aktivistët nga skena kulturore e kryeqytetit serb.

Afro 30 të rinj dhe të reja ulen në karrige të palosshme përpara një skene të improvizuar. Ata flasin rusisht. Kushdo që dëshiron mund të marrë mikrofonin dhe të ngjitet në skenë për të kënduar.

“Kam mbërritur këtu nga Moska në prill me një biletë vajtje-ardhje për mua, stafin dhe macen time”, ka treguar Ilya Piksner, e cila ka organizuar takimin.

Ai, bashkë me disa aktorë, drejton një studio regjistrimi që prodhon përmbajtje audio duke filluar nga muzika deri te reklamat.

“Që nga sulmi në Ukrainë më 24 shkurt, situata në Rusi është bërë gjithnjë e më e padurueshme”, ka thënë Piksner.

Prandaj dhe ka kërkuar të largohet prej andej.

Menjëherë pas pushtimit, ata përdorën Telegram-in dhe shërbime të tjera për të ndihmuar ukrainasit e kërcënuar nga lufta.

“Njëri prej nesh i mësoi një vajze të re se si të drejtonte një makinë përmes chat-it, në mënyrë që të mund të nxirrte familjen e saj nga një zonë luftimi”, ka treguar ai.

Aktivitete të tilla konsiderohen tradhti në Rusinë e Vladimir Putinit dhe tradhtarët mund të përballen me dënime me disa vite burg.

Prapëseprapë, të mos bënte asgjë për luftën kundër Ukrainës ishte e pamundur për Piksner.

“Ky konflikt është shumë afër meje. Shumë nga miqtë dhe kolegët e mi janë nga Ukraina, të afërmit e tyre jetojnë atje, disa madje kanë pasaporta ukrainase. Duhet t’i ndihmoj disi”, ka treguar i riu.

Por brenda pak javësh, u bë e qartë se veprime të tilla ishin shumë të rrezikshme në Rusi.

“U frikësuam gjithnjë e më shumë se dikush do të na trokaste në derë në një moment. Regjimi tashmë është bërë gjithnjë e më agresiv që nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014”, ka thënë Piksner.

Sipas tij, qartazi do të përkeqësohet tani që Putini po bën luftë.

Gati 30 mijë deri në 50 mijë rusë janë shpërngulur në Serbi që nga fundi i shkurtit.

Paçka se nuk ka shifra zyrtare, që nga fillimi i luftës, dhjetëra mijëra rusë kanë hapur llogari në bankat serbe.

Mbi një mijë kompani, pronarët e të cilave kanë pasaporta ruse, janë regjistruar në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë të Serbisë, shumica e tyre në sektorin e IT-së.

“Zgjodha Serbinë sepse është një nga vendet e pakta ku mbajtësit e pasaportës ruse lejohen ende të hyjnë pa vizë”, ka treguar Katya Khazina, një 34-vjeçare nga Moska.

Përveç rusofilisë së përhapur në Beograd, shumë serbë janë të mërzitur që ardhjet e reja nga Rusia kanë tensionuar më tej tregun e qirave.

Shumica e njerëzve kanë blerë apartamentet e tyre pas përfundimit të periudhës komuniste dhe jetojnë vetë në to. Edhe para fillimit të luftës në Ukrainë, banesat e përballueshme ishin të pakta në Beograd.

Agjentët e pasurive të paluajtshme kanë treguar se qiratë në një pjesë të Beogradit janë dyfishuar që kur Rusia pushtoi Ukrainën.

Marrë nga “Deutsche Welle”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore