Shqipëria

Më 22 maj zgjidhet kryetari i ri i PD-së


Gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar të Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, u votua data 22 maj për zgjedhjen e kreut të ri të kësaj force politike.

Lajmi u bë i ditur gjatë votimeve nen për nen të ndryshime statutore të PD-së, duke cituar kryetarin e komisionit që ndjek punimet e kuvendit të 30 prillit, Belind Këlliçi.

Komisioni përbëhet – njësoj si më 11 dhjetor – nga Albana Vokshi, Edmond Spaho, Ervin Minarolli dhe Ivi Kaso.

Ndërkohë për sekretariatin teknik janë zgjedhur Ledio Nuraj, Minushe Lazaj, si dhe Nadja Daullja.

Konkretisht në këtë Kuvend janë pjesëmarrës në total 1 mijë e 425 delegatë.

Ndër të tjera, Kuvendi i PD-së ka shpallur vakancën për kreun e këtij Grupit Parlamentar.

“…Konstatimin e vakancës së kryetarit të grupit parlamentar të PD-së për shkak të mungesës së nënkryetarëve të zgjedhur të partisë. Ngarkohet Këshilli Kombëtar i partisë për zgjedhjen dhe caktimin së bashku me nënkryetarët edhe të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike”, shtoi Këlliçi.

Data 22 maj ishte paralajmëruar më herët edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Në një dalje për mediat, të mërkurën e 27 prillit, ai bëri me dije se 21 ose 22 maji do të ishin datat, të cilat do t’i propozoheshin Kuvendit për zgjedhjen e kreut të Partisë Demokratike dhe, me sa duket, u votua data 22 maj.

Gjithashtu, ish-lideri demokrat njoftoi edhe shpalljen e kandidaturës për kryetar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore