Shqipëria

Mbyllet protesta e opozitës, me moto ‘rrëzimin e monizmit’


“Ashtu sikundër dikur brohorisnim vdekje komunizmit, sot brohorasim vdekje monizmit. Këtij monizmi të Edi Ramës”.

Ky është mesazhi kryesor që kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë gjatë fjalës së tij në protestën e organizuar nga opozita e bashkuar e vendit, kundër Qeverisë.

Mirëpo, këtë “monizëm” të kryeministrit Rama, sipas Berishës, vala e opozitës do ta arkivojë dhe me të, edhe vetë kreun e Qeverisë.

Kryedemokrati e ka quajtur sërish “armik” Ramën, por jo vetëm të tijin, edhe të votës së shqiptarëve.

Për ish-kryeministrin shqiptar, kryesocialisti i ka marrë jo vetëm të drejtën e votës shqiptarëve, por edhe shpresën dhe dritën hyjnore të së ardhmes.

“Ai që të merr votën të ka marrë dinjitetin”, shtoi ai, duke thënë se pavarësisht se nuk ka vend më të bekuar e të pasur se Shqipëria, qytetarët e këtij vendi janë kthyer në një “popull të gomoneve, për shkak të varfërisë”.

Për këtë arsye, kryeministri, sipas Berishës, vendin e ka në burg, në një regjim special dhe ndaj, në brohorimë e lart, iu drejtua qytetarëve: Atje do ta çojmë!

Një thirrje, Berisha u bëri edhe partnerëve perëndimorë shqiptarë, duke i kërkuar atyre të “mos japin më fonde”, derisa në Qeveri të jetë Rama.

Kjo, pasi në të kundërt, ato do të vidhen sipas tij dhe nuk do të shkojnë në xhepat e qytetarëve, por të qeveritarëve të korruptuar.

Meta: Agjenda e ‘Rilindjes’ është shpopullimi

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, mendon se agjenda e Qeverisë shqiptare është shpopullimi.

Kështu tha ai në fjalën e tij gjatë protestës së organizuar nga Partia Demokratike pasditen e 12 nëntorit.

“Sot jemi të parët në botë për korrupsion”, brohoriti Meta përpara mijëra demonstruesve të mbledhur përpara Kryeministrisë. “Premtoi 300 mijë vende pune, por dëboi mbi 740 mijë shqiptarë”.

Sipas ish-kreut të shtetit, qeveritarët e sotëm mendjen dhe shtëpinë nuk e kanë në Shqipëri, por tek “vjedhja e parave, të cilat fshihen në parajsa fiskale offshore”.

Ndër të tjera, Meta përmendi edhe çështjen e inceneratorëve, ku të akuzuar për korrupsion janë ish-ministri i Bujqësisë, Lefter Koka dhe ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Alqi Bllako.

Sa i përket çmimit të naftës, politikani nga radhët e opozitës e përmendi si një “vjedhje” ndaj qytetarëve, pasi Shqipëria si vend prodhues, “duhet të kishte një çmim shumë të më ulët të naftës”.

Ndërsa, pavarësisht se citoi se shteti është i kapur nga oligarkët dhe mafia, ai nuk përmendi asnjë emër mbi këtë çështje, por theksoi se Qeveria krizën ia ka faturuar popullit, përmes taksave dhe inflacionit.

Referendumin, ai e soli në diskurs sërish si çështjen më me rëndësi për rrjedhën politike që ai ndjek dhe e kërkoi nga qytetarët, që ta kërkojnë atë të drejtë me ngulm.

Protesta e opozitës së bashkuar

Mijëra qytetarë janë mbledhur prej orës 16:00 përpara godinës së Kryeministrisë, në një protestë që parashikohet se do të zgjasë deri në orën 19:00.

Do të ngjiten në foltoren e improvizuar 20 folës, ku i fundit do të jetë vetë kryetari i PD-së, Berisha.

Ndërsa, disa protestues, kanë zgjedhur të shkojnë në tubimin e opozitës me një gomone me flamurin shqiptar dhe atë të Britanisë së Madhe, si një simbolikë e personave, të cilët janë larguar nga vendi drejt Anglisë.

Kjo, edhe pas debateve publike të vazhdueshme në dy javët e fundit, pas deklaratave të sekretares britanike për Punët e Brendshme, Suella Braverman, e cila i quajti shqiptarët “pushtues”, për shkak të fluksit të lartë të emigrantëve.

Ndër mesazhet e tjera të protestës, në vëmendje do të jetë edhe inflacioni, situata ekonomike e vendit dhe ajo sociale.

I parë ndërkaq, i cili ka hapur siparin e fjalimeve, ka qenë aktori Edmond Budina, i cili për mesazh kryesor nuk ka pasur adresime mbi gjendjen e artit në vend, por cilësime politike.

“Vëllezër ne nuk jemi këtu vetëm për keqqeverisjen e këtij pushteti, por për të treguar forcën tonë kundër mafies, mafies në pushtet, e cila e ka uzurpuar pushtetin. Është mister charteri i 22 milionëve. Është mister jahti i 2 miliardëve, apo mister inceneratori i 4.3 milionëve. Ne jemi këtu për kundërshtuar qeverinë”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, është ngjitur në podium me britmën “prapa blindave të burgut të fusim Edi Ramën”.

“Ajo që na ka mbledhur sot këtu është besimi se Shqipëria ka burra dhe gra si ju që i dalin zot vetes dhe atdheut duke luftuar dhe duke u ndeshur. Unë e di mirë forcën e pasionit tuaj revoltues, e di mirë vullnetin e zemërimit tuaj”, dha mesazhin e tij Boçi.

Mbyllja, pas fjalëve të Metës dhe Berishës, pa edhe një incident të shënuar.

Kordoni policor është thyer dhe disa demonstrues janë ngjitur pranë dyerve të godinës, duke shqelmuar edhe dyert e blinduara me hekur.

Nga ana tjetër, disa qytetarë, me të ngjitur shkallët e Kryeministrisë, kanë filluar të ndezin qirinj, paqësisht, si shenjë revolte për disa vdekje të ndodhura në kohët e fundit, për të cilat akuzohen forcat blu.

Me të përmbyllur fjalimin e tij kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, disa prej demonstruesve u larguan nga vendi, ndërsa të tjerë, u turrën drejt godinës së Kryeministrisë.

Kordoni i thjeshtë policor, me vetëm një rresht të tillë, pas një rezistence të shkurtër, u thye përballë qytetarëve dhe këta të fundit vërshuan brenda.

Me të ndodhur kjo gjë, disa të rinj kanë vandalizuar ndërtesën, duke hedhur bojë dhe duke goditur pjesën e blinduar të dyerve.

Më pas, menjëherë në vendngjarje, kanë ardhur përforcime nga radhët e Policisë dhe u bë neutralizimi i atyre demonstruesve, të cilët po ndërmerrnin veprime kundrejt objektit.

Disa prej tyre, janë shoqëruar menjëherë nga efektivët, ndërsa të tjerë vijojnë të qëndrojnë në shkallët e Kryeministrisë, duke ndezur qirinj.

Këta të fundit, nuk janë prekur nga ana e policëve dhe janë lënë të vijojnë protestën e tyre.

Ndërsa, pas disa minutash, kanë ndërhyrë në vendngjarja edhe efektivët e Forcave Shqiponja, të cilët kanë vendosur një kordon në zonën rreth dyerve të godinës, duke e bërë të pamundur afrimin e protestuesve.

Me të parë këtë veprim nga ana e efektivëve, edhe qytetarët janë larguar thuajse të gjithë, me vetëm pak të mbetur tek shkallët e Kryeministrisë.

Arsyeja pse mendohet se qytetarët kanë ndezur qirinj, ka qenë thirrja e Berishës, për ta ndërmarrë këtë vendim si formë homazhi, në nder të Klodian Rashës, një të riu të vrarë nga një efektiv policie gjatë periudhës së pandemisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore