Sport

“Mbreti shqiptar” mbret i botës në boks


Emigranti që iu desh të mbajë edhe burg, që e filloi me kickbox dhe e vazhdoi me Arte Marciale të Përziera, është shpallur kampion bote në boks në organizatën WBC, një nga katër organizatat kryesore të boksit në botë.

Për ta bërë krejt të pabesueshëm udhëtimin, “Mbreti Shqiptar” titullin kampion e fitoi në stadiumin “Air Albanian” në Tiranë, në një ndeshje spektakël kundër meksikanit Miguel Parra Ramirez.

Fitorja e sotme në ring ishte një CV e jetës reale të Markut – aspak e lehtë, por e merituar dhe e jashtëzakonshme.

Ai provoi edhe shijen e mbulesës së ringut kur në raundin e tetë meksikani e rrëzoi me një të majtë të palexueshme.

Në fjalën e tij pas fitores Marku falënderoi të gjithë për mbështetjen, duke e pranuar se ndeshja ishte e mirë, por ka mundur të shmangë disa huqje.

“E di, i bëra disa gabime, por në fund ia dola”, deklaroi kampioni.

Për ata që nuk njohin mirë strukturën organizative të boksit, Marku është kampion bote por është “silver”, apo i përkohshëm.

Ky është titull bote patjetër, por nuk e bën Markun akoma kampion absolut të kategorisë dhe të organizatës. Një meç unifikues do të bëhet në të ardhmen. Gjithsesi, kjo fitore prezanton arritjen më të madhe të një shqiptari në boks.

 

Marku e filloi shumë mirë ndeshjen dhe uzurpoi mesin e ringut. Sulmonte nga fillimi, kryesisht me të djathtën. Derisa Ramirez tentonte shmangien me lëvizje laterale, dhe tentonte aty këtu goditje që gjenin vetëm dorezat e Markut.

Por, qysh në raundin e parë u pa se nuk do jetë një ndeshje e lehtë për Markun.

Ai fitoi edhe raundin e dytë dhe të tretë me goditje më efektive, edhe pse Ramirez kthente disa prej tyre. Gjithsesi, vërehej se impakti i goditjeve të Markut ishte shumë më i madh.

Raundi i katërt ishte një raund 10-8 për Markun, pasi qysh në fillim nokautoi meksikanin.

Ai u ankua për rrëshqitje, por arbitri e numëroi gjithsesi, duke e kthyer zyrtarisht në nokaut.

Po në të njëjtin raund, ndodhi ajo që do ta ndryshonte sjelljen e Markut në ring.

Nga përplasja e kokave Marku pagoi me një çarje që i rrjedhte gjak vazhdimisht dhe kanalizohej në sy, për ta penguar gjatë gjithë meçit.

Pas ndeshjes edhe Marku tha se “ishte shumë problem, sepse nuk mund të shihja mirë me syrin e majtë”.

Ruandi pesë dhe gjashtë ishin momente të barabarta në ring me Markun që lëshonte goditje më të fuqishme dhe Ramirez-in që kishte volum më të madh.

Raundi i shtatë ishte raundi më i mirë i Markut. Një goditje e fuqishme e tij e çau Ramirezin afër syrit të djathtë. Në të njëjtin raund meksikanit iu mor një pikë për lojë të pistë. Prapë një raund 10-8 për Markun.

Kur dukej se në ring po vallëzohej krejtësisht nën ritmin e Markut, erdhi momenti më kapital për Ramirez, i cili me një të majtë harkore krejtësisht të palexueshme e “uli në karrige” Markun.

Goditja që gjeti cakun, e trimëroi Ramirez-in që provoi me një breshëri ta kryej takimin parakohe.

Markur rezistoi dhe po hynim më raundin e nëntë me frikën se këndellja ende s’kishte ndodhur.

“Mbreti shqiptar” megjithatë u mbajt dhe lëshoi disa goditje edhe vetë.

Në raundin e 10, të fundit, Marku u kthye komplet. Kompozoi goditje të forta, por Ramirez arsyetoi prejardhjen e tij meksikane pasi nuk rrëzohej dot.

Ndeshja përfundoi me një ide deri diku të qartë se Marku kishte bërë mjaftueshëm. Hamendësimi u konfirmua zyrtarisht dhe shqiptarët tashmë kanë një kampion bote në boks – për herë të parë prejse “shkenca e ëmbël e grushteve” ekziston.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore