Shqipëria

Mbretëria e Bashkuar raporton deficit tregtar prej 166 milionë paundësh me Shqipërinë


Departamenti për Tregtinë Ndërkombëtare i Mbretërisë së Bashkuar ka publikuar një raport gjatë muajit shkurt, që vëren se Britania ka një deficit tregtar prej 166 milionë paundësh me Shqipërinë.

Edhe pse për gadishullin treguesit financiarë nuk janë pozitivë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për palën shqiptare.

Sipas raportit britanik, totali i importeve të MB-së nga Shqipëria arriti në 212 milionë paundë.

Për të njëjtën periudhë nga një vit më parë është regjistruar një rritje prej 247.5 për qind ose 151 milionë paundë.

Nga të gjitha importet e Mbretërisë së Bashkuar nga Shqipëria, 8 milionë paundë (3.8%) ishin mallra dhe 204 milionë paundë ishin shërbime.

Shqipëria ishte partneri i 111-të më i madh tregtar i Mbretërisë së Bashkuar.

Në vitin 2020, stoku i jashtëm i Investimeve të Huaja Direkte (IHD) nga MB-ja në Shqipëri ishte tre milionë paundë.

Tregtia totale e mallrave dhe shërbimeve (eksportet plus importet) midis Britanisë dhe Shqipërisë ishte 258 milionë paundë në tremujorin e katërt të vitit të kaluar.

Referuar raportit, u regjistrua një rritje prej 155.4 për qind ose 157 milionë paundë për të njëjtën periudhë.

Eksportet totale të Britanisë së Madhe në Shqipëri arritën në 46 milionë paundë gjatë tremujorit të katërt. Kjo është një rritje prej 15 për qind ose 6 milionë paundë krahasuar me të njëjtën periudhë.

Nga të gjitha eksportet e Mbretërisë së Bashkuar drejt Shqipërisë, 18 milionë paundë (39.1%) ishin mallra dhe 28 milionë paundë (60.9%) ishin shërbime.

Kjo do të thotë që Mbretëria e Bashkuar raportoi një deficit tregtar total prej 166 milionë paundësh me Shqipërinë.

Nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë nga një vit më parë, deficiti ka një rritje prej 145 milionë paundësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore