Lajme

Mbretëria e Bashkuar në ndihmë të kompanive energjetike në vështirësi


Në Mbretërinë e Bashkuar, qeveria po shqyrton ofrimin e huave emergjente të mbështetura nga shteti mes frikës së kompanive energjetike në vështirësi dhe faturave të larta për klientët.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se sekretari i biznesit, Kwasi Kwarteng, do të zhvillojë bisedime të menjëhershme me shefat e industrisë përfshirë Centrica dhe E.On.

Kjo pasi kërkesa e lartë për gaz dhe furnizimi i reduktuar kanë ardhur pas rritjes së çmimeve.

Megjithatë, konsumatorët mbrohen nga rritjet e papritura përmes kufirit të qeverisë për çmimin e energjisë, i cili është çmimi maksimal që mund të paguajnë.

Situata nxjerr në pah se edhe firmat energjetike nuk janë në gjendje të kalojnë kosto më të larta të shitjes me shumicë te klientët e tyre, gjë që po detyron disa kompani të dalin jashtë tregut.

Madje, kompania e gjashtë më e madhe e energjisë në Mbretërinë e Bashkuar, Bulb, po kërkon një paketë shpëtimi, teksa katër firma më të vogla pritet të dështojnë në ditët në vijim.

Fatura më të larta

Kwarteng është “ngurrues” për të shpëtuar kompanitë më të vogla, por është i shqetësuar se konsumatorët mund të përfundojnë me tarifa më të shtrenjta kur kalojnë te një furnizues i ri nëse furnizuesi i tyre ekzistues i energjisë largohet.

Konsumatorët kalojnë automatikisht në një tarifë të siguruar nga furnizuesi i ri. Kjo është një tarifë e rënë dakord me rregullatorin e energjisë Ofgem, por mund të jetë më e shtrenjtë se marrëveshja që ata kishin me ish-kompaninë.

“BBC” tregon se miliona familje në Angli, Uells dhe Skoci tashmë po përballen me një rritje prej 12 për qind të faturave të tyre të energjisë, kur një çmim më i lartë hyn në fuqi.

Në fillim të vitit 2021, kishte 70 furnizues të energjisë në Mbretërinë e Bashkuar, por burimet e industrisë kanë thënë se mund të ketë deri në 10 të mbetur deri në fund të vitit.

Javët e fundit, katër kompani të vogla energjetike kanë ndërprerë tregtinë, duke përfshirë People Energy me bazë në Edinburg, e cila furnizoi me gaz dhe energji elektrike rreth 350 mijë shtëpi dhe një mijë biznese.

Ndërkaq, Ofgem ka konfirmuar se klientët e rregullt të kompanisë do të merren nga British Gas.

Gjithashtu Utility Point me bazë në Dorset, i cili kishte 220 mijë klientë, PfP Energy dhe MoneyPlus ndaluan tregtimin më herët.

Rritjet e fundit të çmimeve i kanë lënë disa kompani të paafta për t’u siguruar klientëve energjinë për të cilën kanë paguar.

Megjithatë, kur një furnizues dështon, Ofgem do të sigurohet që familjet e prekura të vazhdojnë të furnizohen dhe të mos humbasin paratë nëse i kanë paguar faturat me anë të debitimit direkt.

Mirëpo, edhe furnizuesi i ri i energjisë do të jetë përgjegjës për marrjen e çdo bilanci të kredisë që një klient mund të ketë.

Gjatë fundjavës, sekretari i biznesit ka qenë në bisedime me ofruesit e energjisë dhe Ofgem dhe po mban një takim të mëtejshëm për të eksploruar zgjidhjet e krizës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore