Shqipëria

Mbi 4 mijë denoncime për dhunën me bazë gjinore këtë vit, thotë Manastirliu


Vetëm gjatë këtij viti, mbi katër mijë vajza kanë denoncuar dhunën me bazë gjinore në strukturat e shtetit.

Kështu ka bërë me dije Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.

“Këtë vit janë më shumë se katër mijë raste të denoncimit të dhunës në strukturat e shtetit. Kur shohim që ka një rritje të rasteve të denoncimit do të thotë që ka një ndërgjegjësim më të madh të grave dhe vajzave për të denoncuar dhunën”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, ministrja ka treguar se është bërë e mundur që nëpërmjet strukturave të Policisë së Shtetit edhe të prokurorisë të lëshohen vetëm këtë vit më shumë se 2 mijë e 400 urdhra të menjëhershëm mbrojtje.

Kurse për linjën e këshillimit 116 117, ajo ka zbuluar se janë pritur këtë vit më shumë se 3 mijë e 400 telefonata.

“Janë 34 shërbime të specializuara, të organizuara në strehëza, linja këshillimi, shërbime të tjera për dhunën me bazë gjinore, dhunën në familje, por edhe dhunën seksuale që kemi mbështetur dhe vijojmë të mbështesim, duke patur një qëndrueshmëri të ofrimit të këtyre shërbimeve”, ka thënë ajo.

Manastirliu ka detajuar se edhe me buxhetin e vitit 2023 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në prioritet është Fondi Social, duke rritur me 30 për qind financimin për të zgjeruar bazën e shërbimeve sociale dhe shërbimeve mbështetëse dhe të specializuara.

Sakaq, do të përfitojnë edhe ato struktura të reja që do të ngrihen për të adresuar çështjet e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore