Kosova

Mbi 350 punonjës të RTK-së nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit të Bordit, Besnik Boletini


Radio Televizioni i Kosovës.

361 punëtorë të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), kanë nënshkruar peticion për shkarkimin e kryetarit të bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Përmes një komunikate nga sindikata e punëtorëve të RTK-së është thënë se këtë peticion po e nënshkruajnë për shkak të gjuhës denigruese të kryetarit të bordit të RTK-së.

“Gjuhën denigruese të kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, të shprehur publikisht përmes ofendimeve e etiketimeve jonjerëzore ndaj tyre, duke përqeshur veshjet e tyre si dhe duke përbuzur angazhimin e tyre profesional”.

Ndërsa është thënë se janë të shqetësuar për bisedat e tij informative me kandidatet të cilët janë më të poentuar për pozitën menaxheriale gjatë konkursit.

“Përmes këtij peticioni të nënshkruar me vullnetin e lirë, kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të Kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini. Nga një kopje e peticionit do të iu dërgohet kryetarit të Kuvendit, Grupeve Parlamentare si dhe Komisioneve përkatëse”, thuhet në komunikatën për media.

Besnik Boletini.

Edhe më 8 shtator, sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës, ka kërkuar që kryetari i Bordit, Besnik Boletini, të shkarkohet nga pozita e kryetarit të bordit të RTK-së.

Nga kjo sindikatë, konsiderojnë se Boletini nuk është duke përdorur gjuhën e duhur ndaj punëdhënësve të RTK-së, teksa në takimin e të mërkurës nga sindikata është thënë se Boletini ka deklaruar se “merr informacione që punëtorët shkojnë në punë me pizhame dhe minifunde”.

Ata kërkesën e kishin adresuar tek Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Rrjeti i Grave, Agjencia për Barazi Gjinore, Institucioni i Avokatit të Popullit, OSBE-ja dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Më 6 dhjetor të 2021, Kuvendi i Kosovës kishte zgjedhur tetë anëtarë të bordit të RTK-së.

Për një pozitë të anëtarit të bordit të RTK-së kanë qenë të propozuar nga komisioni ad hoc dy kandidatë.

Anëtarët e zgjedhur ishin: Besnik Boletini, Driton Hetemi, Bekim Sele, Safet Kabashaj, Fatime Lumi Qehaja, Arta Berisha, Albulena Mehmeti dhe Shukrije Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore