Lajme

Sindikata e RTK-së kërkon që Besnik Boletini të shkarkohet nga posti i kryetarit


Radio Televizioni i Kosovës.

Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës, është duke kërkuar që kryetari i Bordit, Besnik Boletini, të shkarkohet nga pozita e kryetarit të bordit të RTK-së.

Nga kjo sindikatë, konsiderojnë se Boletini nuk është duke përdorur gjuhën e duhur ndaj punëdhënësve të RTK-së, teksa në takimin e të mërkurës nga sindikata është thënë se Boletini ka deklaruar se “merr informacione që punëtorët shkojnë në punë me pizhame dhe minifunde”.

“Ky është skandali i dytë brenda pak kohësh i kryetarit të Bordit, Besnik Boletini në raport me të punësuarit e RTK-së. Gjatë procesit të konkursit për njërën prej pozitave udhëheqëse të RTK-së, kryetari Boletini e kishte thirrur në bisedë informative kandidaten, Ilire Zajmi e cila kishte dalur e para ne listë, duke i thënë asaj se procesi i konkursit është i kontaminuar”.

“Pas këtyre veprimeve të njëpasnjëshme, skandaloze, Sindikata kërkon nga Kryetari, Besnik Boletini që menjëherë ta lirojë postin e kryetarit të Bordit”, thuhet në njoftim.

Në rast se nuk merren masa, sindikata ka paralajmëruar se do të ndërmarrin veprime radikale ku nuk përjashtohen protestat dhe greva.

“Në të kundërtën ne si sindikatë do të ndërmarrim veprime radikale ligjore, përfshirë protestat dhe grevën. Në krye të institucioneve publike nuk kanë vend personat që fyejnë e denigrojnë vartësit e tyre. Në mediumin Publik nuk kanë vend personat që i portretizojnë vartësit e tyre si mashtrues e pa punëtorë. Në Mediumin Publik nuk kanë vend ata që i portretizojnë gratë (vartëset e tyre) si seks-simbole”.

“Mediat kanë rol t’i promovojnë gratë, t’u krijojnë hapësira ku ato ndihen të sigurta e jo të fyera të demotivuara e të kërcënuara. Këtë mendësi primitive duhet ta luftojmë të gjithë së bashku si institucione e shoqëri, dhe jo vetëm punëtorët e RTK-së”, thuhet më tej në komunikatë.

Ata kërkesën e kanë adresuar tek Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Rrjeti i Grave, Agjencia për Barazi Gjinore, Institucioni i Avokatit të Popullit, OSBE-ja dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Më 6 dhjetor të 2021, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur tetë anëtarë të bordit të RTK-së.

Për një pozitë të anëtarit të bordit të RTK-së kanë qenë të propozuar nga komisioni ad hoc dy kandidatë.

Anëtarët e zgjedhur ishin: Besnik Boletini, Driton Hetemi, Bekim Sele, Safet Kabashaj, Fatime Lumi Qehaja, Arta Berisha, Albulena Mehmeti dhe Shukrije Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore