Lajme

Mbi 200 të vdekur për një javë nga COVID-19 në Kosovë


Ilustrim

Numri i të vdekurve dhe i të infektuarve nga COVID-19 në Kosovë vazhdon të mbetet i lartë. Vetëm brenda një jave Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka raportuar 201 raste të vdekjes dhe mbi 12 mijë të infektuar nga Coronavirusi.

Të dhënat e këtij instituti që nga e shtuna e 28 gushtit e deri më katër shtator tregojnë se në Kosovë janë infektuar 12 mijë e 68 persona nga COVID-19.

Derisa numri i të infektuarve nuk po zvogëlohet, i lartë është edhe numri i të shëruarve nga ky virus.

Gjatë kësaj periudhe një javore në Kosovë janë shëruar 10 mijë e 740 persona të cilët kanë qenë të infektuar me COVID-19.

Numri i të vaksinuarve brenda 24 orëve të fundit në Kosovë është gjithsejtë 20 mijë e 346.

Ndërkaq, numri i të vaksinuarve me dozën e parë të vaksinës anti-COVID është 596 mijë e 777, ndërsa numri i atyre që janë imunizuar me të dy dozat e vaksinës ka shkuar në 306 mijë e 287.

Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të premten ka njoftuar se nga data 12 shtator vaksinimi kundër COVID-19 do të bëhet edhe të dielave.

“Deri tani, 600 mijë qytetarë kanë marrë së paku një dozë të vaksinës. Nga 12 shtatori ne do të kemi vaksinim edhe të dielave”.

Këtë e ka bërë të ditur në një konferencë për media ku tha se ka një rënie të lehtë të infeksionit pas valës që ka kapluar vendin në dy javët e fundit.

Nuk përjashtohet mundësia për masa të reja anti COVID-19 para 13 shtatorit

Masat e ndërmarra nga Qeveria sipas ministrit kanë qenë të domosdoshme.

“Jemi detyruar të marrim masa në bazë të rekomandimeve, duke pasur parasysh shëndetin e qytetarëve. Duhet kuptuar dhe theksuar se në situatën në të cilën ndodhemi këto masa kanë qenë dhe janë të domosdoshme”.

Masat janë në fuqi deri më 13 shtator dhe zbatimi i tyre është shumë i rëndësishëm.

“Edhe sot gjatë takimit u dakorduam që të gjitha institucionet të do të përcjellin për ditë situatën në terren dhe para 13 shtatorit do të kemi edhe takime të tjera. Kjo nuk e përjashton mundësinë e masave të reja para kësaj date sipas këtyre raportimeve dhe rekomandimeve nga punonjësit shëndetësor”, është deklaruar Vitia.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore