Shqipëria

Mazhoranca po kufizon hapësirën e opozitës, thotë Çollaku


“Projektligji i paraqitur në Kuvend për ndryshimin e ligjit Për Komisionet Hetimore në vlerësimin e Partisë Demokratike është një përpjekje e mazhorancës aktuale për të kufizuar hapësirën që Kushtetuta i garanton opozitës në fushën e kontrollit parlamentar”.

Kështu e ka nisur deklaratën nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku.

Sipas tij, përkufizimi që projektligji i propozuar i bën konceptit “çështje e veçantë”, koncept i përcaktuar nga neni 77 i Kushtetutës, është hartuar me qëllim kufizimin e mundësisë së ngritjes së komisioneve hetimore.

“Kriteret e parashikuara për ekzistencën e çështjes së veçantë jo vetëm që janë detajuar përtej nevojës ligjore dhe traditës parlamentare por krijojnë edhe paqartësi në raport me organin e parlamentit që ka tagrin e vlerësimit paraprak të plotësimit apo mosplotësimit të këtyre kritereve”, ka vijuar ai.

Çollaku ka shtuar po ashtu se vlerësimi përfundimtar lidhur me përmbushjen ose jo të kritereve sipas projektligjit do të varet nga “vullneti i shumicës parlamentare çka bie ndesh me parashikimet ligjore të kushtetues dhe rolin kontrollues që kushtetuta i ka njohur një pakicave parlamentare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore