Shqipëria

Materniteti i ri i Lezhës është gati


Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë vizituar ambientet e reja të maternitetit të Lezhës, tashmë të përfunduara.

“Pas maternitetit të Sarandës dhe atij të Korçës, ky është i treti që përfundon punën”, tha ministrja. Ndërkaq puna sipas saj vazhdon për maternitetin e Beratit.

Kryeministri, nëpërmjet postimit në Facebook, ka shkruar se kjo është një pritje dhjetëra vjeçare e njerëzve të kësaj zone.

Materniteti është i kompletuar me të gjitha pajisjet dhe sallat e nevojshme operatore. Ato janë të gjitha të reja dhe të përshtatura me kushtet bashkëkohore teknologjike.

Një pjesë e maternitetit i kushtohet urgjencave dhe tjetra përfshin sallat e lindjes. 50 është numri i shtretërve në spital.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore