Lajme

Masat ndëshkuese të BE-së, Kryeziu: Vështirë të arsyetueshme, asnjë vërejtje për Serbinë


Perparim Kryeziu

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për Radio Televizionin “Dukagjini”, ka thënë se “masat ndëshkuese” të paralajmëruara nga Bashkimi Evropian janë “vështirë të arsyetueshme”, ngase sipas tij, ishte vetë BE-ja që në raportin e saj të fundit e ka vlerësuar vendin me nota pozitive.

“Është vështirë të arsyetohet se si Bashkimi Evropian ndërmerr masa negative ndaj Kosovës, të cilën, në raportin e fundit e përshkruan në dritën më pozitive ndonjëherë: si në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si në demokratizim, si në zhvillim ekonomik, ashtu dhe në avancim të kornizën ligjore në përputhje me Acquis të BE-së”.

Kryeziu ndër të tjera ka thënë se përgjegjësia për përshkallëzimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë bjen ekzkluzivisht mbi grupet kriminale dhe formacionet ilegale që operojnë atje, të cilët janë përgjegjës edhe për sulmet ndaj paqeruajtësve të KFOR-it, Policisë së Kosovë dhe gazetarëve.

“E megjithatë asnjë vërejte të hapur e të prerë për Serbinë. Pavarësisht gjithçkaje, ne e vlerësojmë mbështetjen dhe ndihmën e BE-së dhe me padurim e presim pyetësorin për anëtarësim”, ka thënë ndër të tjera Kryeziu, ndërsa ka kujtuar edhe planin me pesë pika të kryeministrit Albin Kurti për uljen e tensioneve në veri.

Ndryshe, drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian, Gert Jan Koopman, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur pozitivisht ndaj kërkesave të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për qetësimin e situatës në veriun e vendit, kurse tash priten “masat ndëshkuese”.

Koopman, në takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, ka thënë se Komisioni Evropian do të ndërmarrë një numër masash që do të komunikohen gjatë kësaj jave dhe ato do të përfshijnë pezullimin e punës së organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe pezullimin e fondeve për Kosovën.

“Komisioni Evropian sigurisht që do të ndërmarrë një numër masash që do të komunikohen pak më vonë në këtë javë dhe ato do të përfshijnë pezullimin e punës në kuptimin e organeve të Stabilizim Asocimit, do të pezullojmë programin e fondeve për Kosovën”, ka thënë ai.

Ndër masat e tjera që pritet të merren nga Komisioni Evropian ndaj Kosovës janë edhe pezullimi i propozimit të dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor, mbështetja e vazhdueshme për prokurimin dhe po ashtu edhe nënshkrimi i kontratave mes BE-së dhe Kosovës.

Lexo edhe këtë: Kufijtë kohorë janë ngjeshur – sanksionet ndaj Kosovës në prag

“Ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat dypalshe po ashtu do të pezullohen. Tani më lejoni të theksoj se nuk i marrim me lehtësi këto veprime dhe këto duhet të shihen si të përkohshme dhe të kthyeshme kur të shohim hapat e vegjët të autoriteteve në Kosovë që të kthehen në dialog dhe për të implementuar zotimet që janë dhënë”, tha ai.

Ajo që veçse ishte paralajmëruar prej kohësh tashmë pritet të bëhet realitet – Kosova rrezikon të futet për herë të parë në mesin e shteteve të pakta që janë nën “sanksionet” e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa ashpërsia e të cilave parashihet të rritet varësisht rrethanave.

Një varg sanksionesh tepër serioze janë pregatitur tashmë nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave të tyre nga kryeministri i vendit për uljen e tensioneve në veriun e territorit të banuar me shumicë serbe.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, ka ndarë me shtetet anëtare një pjesë të “skicës” për disa nga “masat shtrënguese” të cilat do të ndërmerren ndaj Kosovës, nëse kryeministri Kurti nuk ndërmerr hapat e nevojshëm për uljen e tensioneve në veri.

Qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-përshkallëzimin e gjendjes në terren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore