Lajme

Masat e reja pengës për zhvillimin e bizneseve


Pandemisë COVID-19 i ka shkaktuar një tronditje të madhe mbarë ekonominë botërore. Në fillim qeveritë e shteteve ishin të përqendruara kryesisht në vendosjen e masave kufizuese si masë preventive ndaj përhapjes së virusit. Qeveritë paralelisht me  vaksinimin po merren edhe me pasojat sociale dhe ekonomike të shkaktuara nga pandemia.

Kosova ashtu sikurse vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm, pritet të futet në një recesion të thellë. Ndërsa, përmasat e recesionit apo rënies ekonomike do të jenë të varura në mënyrë direkte nga kohëzgjatja e pandemisë.

Në Kosovë kjo rënie ekonomike ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në mbylljen e shumë bizneseve. Po ashtu, edhe në humbjen e shumë vendeve të punës.  Ndihma ekonomike nga shteti është simbolike, sidomos për punëtorët në sektorin privat, të cilët janë subvencionuar pak herë me shuma simbolike që nga fillimi i pandemisë.

Masat e reja të ndërmarra nga ana e Qeverisë janë hyrë në fuqi sot. Ato do të zgjasin deri më datën 18 prill, mirëpo ato do të rishqyrtohen sërish se a duhet të hiqen apo të vazhdohen tutje.

A mjaftojnë ato subvencione ndaj bizneseve dhe punëtorëve, Albanian Post ka kontaktuar me disa biznese dhe me disa punëtorë të cilët janë prekur direkt nga pandemia, përkatësisht edhe nga masat e reja.

Pronari i fast food “Prishtina” në Podujevë, Agron Halimi për Albanian Post ka folur lidhur me vështirësitë që ai i ka si pronar i biznesit. “Po është biznes familjar dhe ne kemi 5 punëtorë të tjerë. Ne përveç që shërbejmë edhe në teren, pra me porosia, ne edhe në lokal shërbejmë, por masat që nga fillimi na kanë krijuar telashe. Ne sa herë që jemi mbyll, u dashtë të reduktojmë stafin. Arsyet besoj që mundeni me i kuptua, qarkullimi i dobët në biznes.”

Ai tutje është shprehur se nëse do të kishte punë do ta rriste kapacitetin e punës dhe do të merrte punëtorë shtesë, “nëse na do të kemi punë natyrisht se do e rritim biznesin, ashtu edhe kemi filluar nga zero, por tani jemi 8 punëtor në lokal. Problemi është nëse sërish vendosin masa, atëherë unë nuk mundem t’i mbajë punëtorët, duhet detyrimisht ta zvogëloj stafin”, u shpreh Halimi.

Florentina Emini punëtore në një bizhuteri në kryeqytet, thotë se lokali ku puno ajo është i hapur, ani pse janë ndërruar oraret e punës si rezultat i pandemisë dhe festës së Bajramit. “Lokali është i hapur, ne do të fillojmë pak ma vone ne punë se zakonisht. Punëtor jem i më pak, se qarkullim të mishterive nuk ka. Sot po vërehet shumë që ka ramje të njerëzve jo vetëm në lokal por edhe në rrugë.”

E njëjta situatë duket të jetë edhe në qytetet e tjera të vendit. Ramiz Osaj është pronar i kafiterisë “Time’s Bar” në Prishtinë. Ai për ne u shpreh se udhëheq me biznes prej më shumë se 20 vitesh. Kurse për masat e reja të cilat kanë hy në fuqi sot, ai thotë: “u bo tepër kjo punë, mshil njëherë e mshil njëherë, tash prapë. Normal që po na shkakton probleme ekonomike. Unë këtu paguaj qara dhe po ashtu e kam një punëtor. As nuk jam që e mbaj mbyll e as që e mbaj hapur lokalin për të shërbyer merr-me vete, sepse qarkullimi i njerëzve këndej është i vogël. Këtë pjesë studentët dhe profesorët e frekuentojnë më shumë, tash ata s’kanë mësim, janë online, këtu natyrisht që bjen puna krejt.”

Ai për Albanian Post thotë se punëtorin që e ka, vitin e kaluar e ka mbajt në punë, mirëpo kushtet ekonomike janë tkurrur shumë: “unë punëtorin e kam mbajt në punë edhe gjatë vitit të kaluar, por kur nuk e ke hap biznesin, plus na jemi biznes i vogël, si me ja dal, si me marr e me pagua edhe punëtor?” pyet ai.

Më tej ai bënë kritikë ndaj politikanëve: “vërtet është e pa shpjegueshme, ata mbaj fushata zgjedhore e tubime, e mbyll neve sa herë që donë. Unë në lokal respektoj të gjitha masat, përfshi edhe ato të distancës, por këto ditë do ta provoj merr-me vete, nëse nuk ka punë do ta mbyll deri sa të hiqen masat që i kanë vendos” u shpreh ai.

Ndërsa Albani kamarier në një kafiteri në Prishtinë, për Albanian Post tha se lokali ku punon ai është i mbyllur tërësisht. “Lokali ku unë punoj nga sot është mbyll. Deri me 18 skam me dal në punë, e a zgjat a jo nuk e di, ashtu siç nuk e di a do të paguhem a jo nga gazda. Unë mbaj familje nga kjo pune, zanat tjetër nuk kam.” u shpreh ai.

Në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë të angazhuar gjithsejtë 100 inspektor për të monitoruar zbatimin e masave të reja anti-Covid. Këto masa qeveritare u kritikuan sot edhe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, ku drejtori i këtij asociacioni z.Sazan Ibrahimi është shprehur se masat janë marrë në mënyrë të një anshme pa u konsultuar me të gjitha komunat është shprehur ai për Ekonomia Online.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore