Gjykata Speciale

Masakra në burgun e Dubravës, Specialja pranon kërkesën e Dugollit ku kërkohet nisja e hetimeve


Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka njoftuar se ka pranuar nga një letër nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, lidhur me shkresën që i kishte nisur këtij institucioni të drejtësisë për të kryer hetime mbi masakrën e Dubravës.

“Dua t’ju informoj se ditë më parë, kam pranuar një letër nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. Letra konfirmon se Prokuroria ka marrë shkresën që i kam dërguar me postë më 29 prill, në të cilën kërkova nisjen e hetimeve të krimeve të kryera gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të masakrës së Burgut të Dubravës. Letra e Prokurorisë po ashtu njofton se kërkesa ime do të shqyrtohet nga ana e tyre”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai i ka falënderuar të gjithë për mbështetjen, derisa ka shtuar se mbetet me shpresë se Prokuroria e Specializuar do t’i japë fund pandëshkueshmërisë së autoriteteve të larta të Serbisë për këto krime monstruoze, si dhe ta shfrytëzojë këtë rast për të sqaruar përfundimisht nëse Gjykata Speciale është, apo s’është, gjykatë një-etnike.

Dugolli, i mbijetuari i Masakrës së Dubravës gjatë muajit maj të këtij viti pati thënë për Albanain Post se nëse nuk kontaktohet fare nga Specialja, atëherë dëshmohet se gjykata është një-etnike.

“Edhe në raportin e Dick Marty përmenden krimet e Serbisë që i ka kryer, përmenden edhe të zhdukurit”, kishte thënë Dugolli, duke aluduar se Specialja do të duhej të trajtonte atë që ai ka për të ofruar si dëshmi.

Deputeti kishte treguar edhe se të gjithë dëshmitarët janë të gatshëm për të dëshmuar dhe për të dhënë kontribut në çdo aspekt që kjo masakër të trajtohet si duhet dhe kryerësit të marrin dënimin e merituar.

“Është shumë lehtë e argumentueshme masakra e Dubravës, gjithçka është bërë me direktiva dhe urdhra shtetërore, gjithçka ka qenë e planifikuar”.

Edhe sipas avokatit Tahir Rrecaj, Gjykata Speciale “nuk duhet të jetë një-etnike”, prandaj do të duhej të shqyrtonte edhe raste që kanë të bëjnë me të dyshuar serbë gjatë kohës së luftës.

“Nuk duhet se do t’i hetojë vetëm krimet e pretenduara të shqiptarëve edhe pse tash janë duke e gjykuar vetëm UÇK-në. Duhet t’i dërgojë dëshmitë zotëri Dugolli dhe patjetër që duhet të fillojnë hetimet. Kanë mandat dhe e kanë obligim”, potencoi Rrecaj.

“Ky duhet të jetë rast i veçantë, por është në kompetencë të Dhomave të Specializuara”, pohoi ai.

Ndryshe, më 19 maj të vitit 1999 në burgun famëkeq të Dubravës, kur serbët mbanin në arrest qindra shqiptarë, kishte filluar mizoria e ushtarëve dhe policëve serbë kundër të burgosurve, për të zgjatur disa ditë, deri më 24 maj.

Në hapësirat e Burgut të Dubravës u vranë e masakruan 117 të burgosur shqiptarë dhe u plagosën rreth 200 të tjerë.

Më 22 maj, forcat serbe të sigurisë rreshtuan afërsisht 1,000 të burgosur në oborr dhe qëlluan mbi ta me snajperë, mitralozë dhe granata nga muret e burgut dhe kullat për roje, duke vrarë të paktën shtatëdhjetë njerëz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore