Lajme

Masa e paraburgimit prej 30 ditësh për 5 efektivët e policisë


Pesë efektivë të policisë, të dyshuar për tejkalim të forcës së autorizuar, për përdorim të dhunës fizike dhe verbale ndaj katër personave në Prizren, u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë nga Gjykata Themelore në Prizren.

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të dielën, është mbajtur seanca kundër efektivëve të policisë në Prizren, Sami Hoti, Valon Krasniqi, Frashër Kroni, Ardian Krasniqi dhe Albert Perzhaku.

Ata akuzohen për tejkalim të autorizimit policor në ndërhyrje në një lokal në Prizren, në korrikun e vitit të kaluar.

Ndaj zyrtarëve policorë në fjalë ishte ngritur akuzë nga të dëmtuarit, në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Pas raportimit nga mediat, që kishin arritur të siguronin pamje për rastin e dhunës së ushtruar nga policët e lartpërmendur, këta ishin arrestuar dhe pezulluar nga detyra, dhe u ishte caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Deri sa fajësia e tyre të vendoset përfundimisht, me formë të prerë nga Gjykata Themelore të Prizrenit, ata prezumohen të pafajshëm.

Nasuf Hasani, avokat i policit të akuzuar, Ardian Krasniqit, ka thënë se arrestimi i klientit të tij ka ndodhur duke u bazuar në një incizim të dyshimtë, i cili nuk ka autorësi.

“Ardian Krasniqi dyshohet se ka pasur tejkalim të autorizimeve gjatë kryerjes së punës së tij, është arrestuar për shkak të daljes së një audio-incizimi në një portal, i cili incizim nuk ka autorësi dhe është i dyshimtë”, ka thënë Hasani për Albanian Post.

Më pas, avokati Hasani ka thënë se nuk ka asgjë konkrete me të cilën mund të dëshmohet se klienti i tij ka kryer vepër penale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore