Lajme

Marrëveshja që – zyrtarisht – e dinë veç Kurti dhe Vuçiç, çfarë prodhon e panjohura me 27 shkurt?


Foto nga Albanian Post

Me datën 27 shkurt mund të nënshkruhet një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, por vetë marrëveshja asnjëherë nuk është bërë publike zyrtarisht.

Arsyetuar me kërkesën për “konfidencialitet nga ndërmjetësuesi”, Albin Kurti kurrë s’i publikoi të plota nenet e marrëveshjes.

Albanian Post ka kuptuar nga burim diplomatike se një pajtim në parim tashmë është arritur.

Ekskluzive: Çfarë do të ndodhë në takimin e 27 shkurtit në Bruksel…

Nëse gjithçka shkon sipas planit të rënë dakord, pas takimit të 27 shkurtit palët do të dalin me njoftimin se është arritur pajtim në frymën e kompromisit, por nënshkrimi zyrtar nuk bëhet atë ditë.

Pas marrëveshjes së vitit 2013, kjo e 27 shkurtit pritet të jetë marrëveshja e dytë më e rëndësishme.

Por, për shkak të mostransparencës, analistë e komentatorë politikë po e kanë të vështirë të japin një mendim të prerë se çka fiton e çka humbë Kosova me këtë ujdi.

Gazmir Rraci, i cili ishte i angazhuar si pjesë e grupit negociator të Kosovës në krye me Edita Tahirin, përkundër se dokument zyrtar që tregon marrëveshjen nuk ka, nga ajo që ka kuptuar nga mediat dhe deklarimet publike, beson se “Kosova ka reflektuar duke e pranuar në parim planin franko-gjerman”.

“Ky plan duket që do të jetë marrëveshja e parafundit para se Kosova dhe Serbia të hyjnë në BE dhe se në atë fazë duhet të ndodh edhe njohja formale për të cilën ka folur edhe Ministrja e Jashtme Gjermane kur ka deklaruar në Beograd se Serbia duhet ta njoh Kosovën ditën kur ajo dëshiron të anëtarësohet në BE”, thotë Raci për Albanian Post.

“Komuniteti ndërkombëtarë po ashtu duhet të ofrojë garanci të fuqishme për zbatimin e këtij plani nëse ka pajtim përndryshe Serbia përsëri do bëjë obstruksione në zbatim ashtu siç ajo din më së miri t’i bëjë ato”, përfundon ai.

Njëjtë si Gazmir Rraci, edhe Bekim Çollaku dikur ishte pjesë e grupit negociues në dialogun Kosovë – Serbi, por në një legjislaturë tjetër politike.

Por ndryshe nga Raci, Çollaku nuk e sheh marrëveshjen si pozitive. Jo të paktën nga ajo që ka parë deri tani.

Për Çollakun fatkeqësia e parë e kësaj marrëveshje, “është vetë marrëveshja”.

“Tashmë Kurti ka pranuar planin franko-gjerman dhe mundësia për ta rihapur apo rinegociiuar atë, nuk ekziston”, thotë ai në një koment për Albanian Post.

“Pra, dy vite negociata të fshehta, përfunduan me një draft marrëveshje e cila nuk reflekton objektivat strategjike të Kosovës për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si rrjedhojë, njohja reciproke si elementi thelbësor dhe i domosdoshëm, nuk është askund pjesë e marrëveshjes që pritet të nënshkruhet”, ka thënë Çollaku.

Në thelb të kësaj marrëveshje, beson Çollaku, janë koncesionet shtesë që Kosova duhet t’i bëj për të drejtat e komunitetit serb, “duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, i regjur në mënyrën se si prezantohen këto marrëveshje, beson se gjuha ambige tolerohet me qëllim, në mënyrë që të dyja palët, para publikut vendas të prodhojë dramë dhe retorikë triumfaliste, “e cila pastaj do të përdoret në Kosovë dhe Serbi për të manipuluar zhgënjimin e opinionit publik”.

“Përfundimisht, Kosova është e detyruar të pranojë një marrëveshje jo të mirë, e cila jo vetëm që nuk përmban njohjen reciproke, mirëpo nuk siguron dot as edhe një status quo më të mirë, për shkak të shumë elementeve të dykuptimta që mbart në vetvete”, thotë Çollaku.

“Njohje de facto” për të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “insiston” se sigurohet nga kjo marrëveshje “është përpjekje e dështuar për manipulim të opinionit publik të cilën nuk e beson as vetë ai, e lere më dikush tjetër”, përfundon Çollaku.

Propozimi franko-gjerman, i ri-emëruar më pas si Evropian, të cilin e pati publikuar ekskluzivisht Albanian Post, parasheh qasje të barabarta për Kosovën dhe Serbinë në respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe garanci shtesë për komunitetin serb në Kosovë.

Marrëdhëniet diplomatike, një nga pikat kritike të “marrëveshjes pa njohje eksplicite” – disa modele si zgjidhje

Në dokument nuk përmendet ekskluzivisht njohja e ndërsjellë apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara. Gjithashtu, marrëveshja ka brenda edhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake, përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore