Kosova

Ekskluzive: Çfarë do të ndodhë në takimin e 27 shkurtit në Bruksel…


Fotoja është pikturë e Orange Girl. Shpjegimi i fotos nga artistja është: Nga puthja pritet solemnitet dhe përnaltësim... Historia njeh edhe puthjet e vëllazërisë apo edhe tradhtisë. A do të jetë edhe kjo njëra ndër to?

Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç do të takohen me Josep Borrell në Bruksel me 27 shkurt me idenë e një pajtimi të përbashkët në parim për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të mbështetur në Propozimin franko-gjerman (evropian).

Kjo datë është vetëm tri ditë më vonë nga data që kishte lajmëruar Albanian Post katër muaj më parë.

Në tekstin ekskluziv të AP-së me 20 tetor ishin publikuar disa pika nga “skenari i prezantuar për para-marrëveshjen Kosovë-Serbi”.

Aty, pos tjerash, thuhej se duhet të arrihet një marrëveshje fillestare deri në fund të muajt shkurt të vitit 2023, mundësisht 24 shkurti, meqë korrespondonte me 1 vjetorin e luftës në Ukrainë.

Serbia në këtë fazë s’ka nevojë ta ndryshojë Kushtetutën e saj. Njëjtë, Kosova duhet ta themelojë Asociacionin, por pa e ndryshuar Kushtetutën. Asociacioni nuk do të jetë një OJQ, megjithatë, për momentin, nuk do të themelojë nivel të ri të pushtetit”, tregonte teksti i 20 tetorit.

Nëntë ditë para takimit të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Albanian Post sërish kupton nga burime diplomatike se një pajtim për nënshkrim tashmë është dhënë nga të dyja palët.

Nëse gjithçka shkon sipas planit të rënë dakord, pas takimit të 27 shkurtit palët dalin me njoftimin se ka pajtim, edhe pse nënshkrimi zyrtar nuk bëhet atë ditë.

Kjo do ruhet për një moment tjetër, më ceremonial, dhe do marrë vëmendjen e nevojshme diplomatike e mediale të botës perëndimore.

Burimi i AP-së – bazuar nga çfarë është parë në rrugëtimin pesë mujor të diskutimit për “kornizën e re”, pasi në proces u përfshinë fuqishëm Franca dhe Gjermania, përmes Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, këshilltarëve kryesorë të presidentëve Olaf Scholz e Emmanuel Macron – paralajmëron për një drojë të ndërkombëtarëve, gjithsesi pajtimi deklarativisht është dhënë.

Këtë e dëshmon edhe thirrja simbolike e Bashkimit Evropian për takim të nivelit të lartë në Bruksel pikërisht në ditën e 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Të hënën me 27 shkurt Përfaqësuesi i lartë/Zëvendës Presidenti i Komisionit, Josep Borrell do të organizojë një takim në nivel të lartë mes Beogradit dhe Prishtinës në kuadër të dialogut”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Shërbimi i veprimit të jashtëm i BE-së.

Se takimi i nivelit të lartë duhet të prodhojë patjetër një rezultat konkret e pohoi edhe i dërguari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak kur ishte për herën e fundit në Kosovë, me 6 shkurt.

Pas udhëtimit të 10-të në Kosovë qysh nga shtatori i vitit paraprak, Lajçak pohoi se e gjithë kjo diplomaci fluturuese është në funksion të një përgatitje për gjëra konkrete në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë.

Ai deklaroi që po sigurohet se “po lëvizim përpara dhe kur të takohen liderët takimi të jetë konstruktiv”.

“Po”-të në parim nga Kurti e Vuçiç janë dhënë akoma pa u realizuar takimi, edhe pse me gjuhë ambige.

Presidenti serb u shpjegoi para pak kohë në Serbi, atë që pati raportuar në shtator Albanian Post, se cilët do jenë shkopinjtë për Serbinë nëse thotë “jo”.

“Po t’i kisha hedhur [planin franko-gjerman] dhe të thosha se nuk do të negocioja, regjimi ynë pa viza do të ishte hequr. Gjëja tjetër që do të na ndodhte është që nuk do të kishim më investime dhe investitorët do të tërhiqeshin”, kishte thënë Vuçiç, duke shtuar se ai nuk do të pranonte të ishte presidenti që udhëheq një vend të izoluar.

Në anën tjetër, pasi Kurti u tha ndërkombëtarëve në takim “po”, ambasadori amerikan doli me një deklaratë, e cila po ashtu ishte dhënë në shtator nga AP, pra foli për benefitet e konstruktivitetit (pranimit të marrëveshjes).

Jeffrey Hovenier në Twitter shkroi se “marrëveshja e përkohshme [propozimi franko-gjerman] do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”.

Se nuk bëhet fjalë për një marrëveshje finale megjithatë, por për një marrëveshje të ndërmjetme, është bërë e qartë edhe nga vetë Kurti.

Ai ka filluar të flas – hera e fundit në emisionin Opinion te Blendi Fevziu, por edhe në parlamentin e Kosovës, për terminologjinë e sekuencimit – edhe kjo e sqaruar në tekstet e Albanian Post nga shtatori, tetori dhe nëntori i vitit të kaluar.

Një tekst i 31 tetorit nga AP i titulluar “Ekskluzive në Albanian Post: Këto janë pikat, kjo është rruga, këtu nënshkruhet marrëveshja”, shpjegonte “logjikën prapa vizionit të ri, logjikën prapa nevojës për sekuencializim të veprimeve, çfarë konkretisht nënkupton normalizimi substancial, çfarë pritet nga palët si dhe çfarë përfitojnë palët dhe çfarë mund të jenë penalizimet”.

Teksti, i fokusuar në katër pika shpjeguese sqaronte hapat që do merreshin.

Nën 3) Pra, raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë rregullohen me logjikën e marrëdhënieve në mes të dy shteteve të pavarura, përjashto aktin formal të njohjes. Kemi të bëjmë me pranim de fakto dhe jo me njohje de jure”, thuhet në këtë tekst të 31 tetorit, derisa shtohet se “Nën 4) Asociacioni apo Bashkësia e Komunave Serbe është pjesë e këtij dokumenti vetëm në kontekstin e detyrimeve të trashëguara nga marrëveshja e parë, ajo e vitit 2013”, thuhej në dy nga pikat.

Kurse me 12 nëntor AP do publikonte për herë të parë, jo më me pika të përgjithshme shpjeguese dhe makro-perspektiva, por planin e ngurtësuar franko-gjerman.

Ekskluzive: Dokumenti i propozimit franko gjerman – Përmes Nenit 1, 2 dhe 3 Serbia pranon ekzistencën e Kosovës, Neni 9 detyron Kosovën ta themelojë Asociacionin”, ishte titulli i publikimit ku shpjegohej se bëhet fjalë për një nga draftet e para.

Gjithsesi, pas publikimit edhe të draftit të fundit pastaj, atij të 20 janarit, u kuptua që fare pak kishin lëvizur gjërat dhe dokumenti pothuajse kishte mbetur i njëjtë.

Në këtë shkrim, po ashtu sqarohej preambula e dokumentit, e cila vendos tonin për nenet më poshtë.

AP më vonë, me 14 dhjetor, pati publikuar gjithashtu ekskluzivisht se Marrëveshja edhe nëse nënshkruhet nuk do të kalojë nëpër parlamentet respektive për ratifikim.

E veçanta e propozimit aktual – i cili vështirë që do të ketë më ndryshime thelbësore – është që pas nënshkrimit, nga palët nuk do të kërkohet që marrëveshja të ratifikohet në parlamentet përkatëse”, thuhej në shkrimin e 14 dhjetorit.

Në këtë mënyrë të dyja palët çlirohen nga presioni i brendshëm që mund të krijohet nëse kërkohet që marrëveshja të ratifikohet në parlamente… Sipas logjikës së hartuesve, marrëveshja do të hyjë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit, si zotim i të dyja palëve”, sqaronte teksti.

Duke e kornizuar marrëveshjen si çështje brenda evropiane, implementimi i saj do të kthehet në kusht të pakapërcyeshëm drejt integrimit në BE. Sipas burimit të AP, ky trajtim obligues nga BE-ja e kthen marrëveshjen në detyrim për të dyja palët gjatë procesit të integrimit, pavarësisht mungesës së ratifikimit në parlamentet përkatëse”, vazhdonte tutje sqarimi në atë tekst, e cili tashmë vërtetohet edhe me publikimin e udhërrëfyesit për implementim të marrëveshjes, i rrjedhur në media ditëve të fundit.

Gjithashtu, në ekskluziven e 30 janarit të publikuar nga AP, thuhej qartësisht se “nëse nuk nënshkruhet Marrëveshja Bazë do ketë bllokim të procesit integrues, ngrirje të mbështetjes, kthim prapa në raportet me Perëndimin”.

Se i janë treguar sanksione të kësaj natyre kryeministrit Kurti e pranoi më pas edhe vetë në seancën e thirrur nga opozita për të shpalosur më shumë sa i përket planit franko-gjerman.

Nuk mund të pritet një jo nga Kosova, sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta (ndërkombëtarët)”, tha Kurti, duke shtuar se “ata gjithashtu ma bën të qartë se çfarëdo refuzimi të propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues dhe ndëshkues diplomatikë”.

Dy javë para deklaratës së Kurtit AP raporti në detaje për këta hapa ndëshkues.

Kurse publikimi i fundit i Albanian Post në këtë çështje, ai i vetëm para pesë ditëve, 13 shkurt, tregonte se “Kurtit i është dhënë një afat për përgjigjen finale” dhe se “është punë ditësh”.

Sic kuptohet nga përgjigja pozitive në ftesën e BE-së, Kurti e respektoi afatin.

Së pari Munih-i

Para se të takohen me Josep Borrell në Bruksel me 27 shkurt, liderët e Kosovës e të Serbisë do zhvillojnë bisedime me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, në Konferencën e Sigurisë në Munih.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, veçse i ka përfunduar këto takime.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për shkak të ditës së pavarësisë, ka udhëtuar një ditë me vonesë në Gjermani. Ai pritet të zhvilloi takimet e njëjta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore