Lajme

Bislimi – për të përfituar nga fondet e BE’së – pranon të nënshkruajë marrëveshje ndërkufitare me Malin e Zi


Ministrja për Çështja Evropiane e Malit të Zi, Majda Gorçeviç dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Mbi tetë milionë euro është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe Malit të Zi për bashkëpunim ndërkufitar, fonde këto të dhëna nga Bashkimi Evropian përmes programit IPA.

Përmes një komunikate nga Zyra e Kryeministrit është thënë se qëllimi i këtij programi është nxitja e integrimit drejt Bashkimit Evropian, megjithatë, duke mos e përmendur se po pranohet kufiri ashtu sic më parë e kishte kundërshtuar ashpër Lëvizja Vetëvendosje.

Duke e anashkaluar krejtësisht atë segment, qeveria vetëm përmend se “qëllimi i këtij programi është promovimi i fqinjësisë së mirë, nxitja e integrimit drejt Bashkimit Evropian, si dhe zhvillimi social, ekonomik dhe territorial i zonës ndërkufitare”.

Në njoftim thuhet se është planifikuar themelimi i një Task Force të përbashkët, njëra në Mal të Zi dhe tjetra në Prishtinë.

“Task Forca e Përbashkët do e mbikëqyrë menaxhimin e përditshëm të programit dhe do t’i raportojë Strukturave Operative edhe Komitetit të Përbashkët Monitorues”.

Ministrja për Çështja Evropiane e Malit të Zi, Majda Gorçeviç, ka thënë se shteti që ajo përfaqëson e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pas miratimit të raportit të raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Këto komente, Gorçeviç i ka bërë në një konferencë të përbashkët për media me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III, duke komentuar votën kundër të deputetes malazeze Maja Vukiçeviç, për raportin e Bakoyannis.

“Votimi i disa deputetëve nuk do të thotë domosdoshmërisë qëndrimin e qeverisë. Mali i Zi në maj do ta përkrahë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, deklaroi Gorçeviç.

Kosova, më 27 mars, kaloi edhe një pengesë drejt rrugës së saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ku aplikoi në maj të vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore