Lajme

Margelletti: Një konflikt evropian është konkret, Gjermania dhe Franca forcojnë mbrojtjen


Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar vazhdimisht se është i gatshëm të përdorë forcën nëse është e nevojshme.

Dhe, me këtë, ai nënkupton se është gati të përdorë armë bërthamore.

Por a është vërtet kështu sipas ekspertit ushtarak Andrea Margelletti?

Presidenti i Ce.SI, Qendra për Studime Ndërkombëtare, shprehet se prej dy vitesh, shumë njerëz e thonë këtë.

“Edhe unë kam qenë ndër të parët që e kam thënë në fillim të konfliktit, se kërcënimi i presidentit rus në lidhje me përdorimin e armëve bërthamore është më se konkret. Por krahasuar me dy vjet më parë ka dallime thelbësore”.

Sipas tij, paradoksalisht ky rrezik sot është më pak konkret.

“Dy vjet më parë ushtria ukrainase ishte gati të depërtonte në Krime dhe ju siguroj se nëse kjo do të kishte ndodhur, Putini nuk do ta kishte problem përdorimin e bombës atomike si një armë taktike. Sot, kushtet kanë ndryshuar: Ukraina është në vështirësi, Rusia ka rifituar pjesë të territoreve që i ishin marrë në fillim të luftës dhe Putini nuk ka probleme zgjedhore sepse fitorja e tij është e dhënë”.

Për Margellettin, tani një konflikt evropian është konkret.

“Nëse kjo do të përkthehet më pas në një luftë të tretë botërore, është e vështirë të thuhet tani, por nuk është vetëm konkrete, por shumë e mundshme që fronti i luftës mund të zgjerohet”.

Çka, sipas ekspertit, nënkupton se Putini, pasi ka marrë përsëri pjesët e territorit që kishte marrë Ukraina, tani nuk ka gjasa të ndalojë.

Dhe objektivi tjetër janë vendet baltike.

“Në fund të fundit, mjafton të shikosh përreth, të shikosh vendet evropiane që kanë më shumë rëndësi për të kuptuar se ka nga ata që po përgatiten dhe nga ata që, në vend të kësaj, po ngecin shumë”.

Ai e ka fjalën për Gjermaninë, Francën dhe Italinë.

“Gjermania ka ndarë 100 miliardë euro për të forcuar mbrojtjen, Franca po vë në dyshim nëse është e përshtatshme të dërgohet ushtria në Ukrainë. Ndërkohë që Italia hesht, ajo çliron fondet e destinuara për mbrojtjen nga fondet e Pnrr (plani kombëtar i rimëkëmbjes). Ne gjithashtu mund të vendosim nesër për të forcuar mbrojtjen tonë, por nuk është sikur armët mund të blihen në supermarket: duhen të paktën dy vjet para se të furnizojmë mbrojtjen tonë me armatim adekuat”.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore