Lajme

Maqedonci: Tri brigada të ushtrisë serbe janë të vendosura përgjatë kufirit me Kosovën – të jemi vigjilentë


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se tri brigada të ushtrisë serbe janë të vendosura përgjatë kufirit me Kosovën.

“Këto 3 brigada kanë një tejzgjatje operacionale përgjatë kufirit me Kosovën. Kjo tejzgjatje paraqitet përmes vendosjes së 48 bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmerisë gjatë gjithë vijës kufitare me Kosovën, 300 metra deri në 5 kilometra në brendësi të territorit të Kosovës”, tha ai gjatë një interviste në A2 CNN.

Maqedonci ka treguar se këto brigada ndodhen aty prej vitesh dhe janë aty për të kërcënuar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Ai ka folur edhe për rolin e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiç, i cili ishte në krye të një grupi paramilitar serb që sulmoi Kosovën më 24 shtator.

“Radojeçiç është vetëm një akter i gjithë këtij skenari i cili është shtyrë për luajtur rolin e tij në raport me sigurinë tonë dhe është shfrytëzuar si një element për të destabilizuar veriun, me synim të gjatë për të aneksuar veriun e vendit”, theksoi ai.

Maqedonci ka potencuar se dy vitet e fundit ka një shtrirje të rendit dhe ligjit në Veri, meqë Qeveria kishte informacione që ka organizata terroriste që duan ta destabilizojnë vendin.

“Vendi ynë ka marrë të gjitha masat, kemi shtirje të inteligjencës dhe policisë. Ne duhet të jemi vigjilent dhe të gatshëm për ta ruajtur sovranitetin dhe territorin së bashku me KFOR-in”.

Më 23 dhjetor, tre muaj pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme për media për rreth 90 minuta shpjeguan se si Serbia nuk është zmbrapsur nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës e po planifikon sulme të reja.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiç, i cili ishte në krye të një grupi paramilitar serb që sulmoi Kosovën më 24 shtator, sipas Kurtit, po vazhdon përgatitje për sulme të reja në Kosovë.

Radojiçiç sulmet, sipas Kurtit, po i përgatit në bashkëpunim me disa pjesëtarë të organizatë “Mbrojtja Civile”, e cila nga Qeveria e Kosovës u shpallë si grup terrorist muaj më parë.

“Radojiçiç është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarët të lartë të shërbimit sekret serb BIA, ambientet e firmës ‘Jablanovica’ në Rashkë, ngjashëm me ato të Novi Pazarit ‘Novi Pazar Put’ po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radojiçiç grupi i tij”, tha Kurti.

Më 24 shtator, një grup terrorist serb sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.

Përgjegjësinë për këtë sulm, Kosova ia hodhi Serbisë, por ajo e mohoi. Milan Radojiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, tha se ai e ka organizuar sulmin dhe se për të nuk e ka njoftuar askënd.

Në fillim të dhjetorit, me kërkesë të Kosovës, Organizata Ndërkombëtare e Policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për Radojiçiç-in.

Paralajmërimet e Kurtit – një sulm u pezullua të tjerët po përgatiten

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore