Shqipëria

Manja takim me drejtorët e burgjeve: Problematikat vijnë nga vetë drejtuesit, kallëzim për çdo rast abuzimi


“Nëse Ministrinë e Drejtësisë do e shihja si një piramidë, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve do ta vendosja si themel dhe gurët e bazës së saj”.

Kështu e ka nisur postimin e tij ministri i Drejtësisë në Shqipëri, Ulsi Manja, pas takimit me drejtorët e burgjeve dhe shefat e policive të vendit, të premten e 6 majit.

Manja, në praninë e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe Drejtorit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, i ka paralajmëruar se, në rast abuzimi, do të ketë një kallëzim penal të të gjithë zinxhirit drejtues, për punonjësit që kanë neglizhuar kryerjen e detyrës pa arsye dhe janë lejuar për këtë.

Ai ka theksuar se do të mbyllen të gjitha objektet që shesin pranë IEVP-ve. Projekti pilot nis në tre ose katër IEVP menjëherë dhe më pas shtrihet në të gjitha IEVP-të, duke ndjekur linjën e vendeve perëndimore.

“Marrëdhëniet nepotike, komunikimin jo vetëm mes stafit, por edhe staf-persona në konflikt me ligjin, kujdesin e shtuar dhe rregullin për takimet pas heqjes së kufizimeve anti-COVID, menaxhimin e banorëve të IEVP-ve nëpërmjet fjalës e jo mjeteve shtrënguese”, shtoi Manja.

Sakaq ai u ka tërhequr vëmendjen për një sërë problematikash duke i quajtur si të trashëguara dhe, në disa raste, problemi janë vetë drejtuesit dhe marrëdhëniet mes tyre.

“Rishikimin urgjent të udhëzimeve, apo akteve të shumë e shumë viteve përpara, të cilat bien ndesh me vizionin tonë. Urdhërova ngritjen e një grupi pune për të punuar për kuadrin rregullator nënligjor dhe çdo akt të shihet në kuadër të rregullores së re”, vijoi Manja.

Ai ravijëzoi se çdo gradim apo emërim nuk do të kalojë asnjë shkallë pa filtrin e pastërtisë së figurës.

Përpos këtyre, ministri i Drejtësisë bëri të ditur se do të verifikojë “personalisht” të gjitha ankesat nga vetë të dënuarit.

“Verifikimin në çdo IEVP personalisht të të gjitha ankesave të ardhura nga vetë të dënuarit në celularin tim, duke nisur me pyetjen e parë se ku e kanë gjetur celularin për komunikim”.

Ndërkohë ai premtoi se me masterplanin e sistemit do të mbyllen disa IEVP dhe do të krijohen struktura të mëdha në përshtatje edhe me hartën e re gjyqësore.

“Gjithashtu do të rikonceptohet menaxhimi i burimeve njerëzore edhe në bazë të qendrave të banimit”, ravijëzoi Manja.

Në përfundim të takimit, Manja u ka dhënë afat drejtorëve për zgjidhjen e problemit të uniformave, trajtimit financiar dhe trajtimit ushqimor për stafin.

“Duhet të ngrihet një polici burgjesh model, bazuar në sistemin e karrierës dhe gradave dhe të trajtohen me prioritet maksimal të punësimit në IEVP në bashkëpunim me sistemin privat”, e përmbylli Manja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore