Shqipëria

Harta e re gjyqësore do të kalojë shpejt për miratim, thotë Manja


Ministri i Drejtësisë në Shqipëri, Ulsi Manja, ka deklaruar më 26 prill se harta e re gjyqësore do të jetë gati shumë shpejt për të kaluar për miratim nga Qeveria, pas një konsultimi të dytë me Ministrinë e Financave.

“Harta e re gjyqësore shumë shpejt do të jetë në qeveri. Do të kemi një konsultim të dytë dhe pastaj, me propozimin tim, do kalojë në qeveri. Duhen parë shpenzimet e hartës së re gjyqësore nga Ministria e Financave”, tha fillimisht numri një i dikasterit të drejtësisë.

Më tej, i pyetur nga gazetarët mbi punën që po zhvillon njësia antikorrupsion pranë Ministrisë, ai bëri me dije se ka një dinamikë të gjerë çështjesh në lidhje me pronat.

Puna, gjithsesi, vijon dhe rastet do të bëhen publike konkretisht.

Prezantimi i një harte të re gjyqësore u bë në fund të vitit të shkuar, më 28 dhjetor, me qëllim rritjen e efiçencës së drejtësisë në vend.

E pranishme atë ditë, përveç ministrit Manja, ishte edhe kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami.

Kjo e fundit e ka konsideruar një domosdoshmëri ndërmarrjen e këtij hapi.

“E kam ngritur këtë shqetësim në Kuvend dhe kudo. Sot jemi shumë vonë dhe harta nuk do të jetë e mjaftueshme”, u shpreh Llagami.

Ajo kërkoi që të vihet në punë një vizion më i gjerë dhe një zgjidhje ku, në fund, të fitojnë qytetarët.

“Jam dakord me shqetësimin se qytetarët kanë nevojë për shërbime ligjore. Koncepti ynë është më pak gjykata dhe më shumë cilësi”, tha kryetarja e KLGJ-së.

Nga ana tjetër, ministri Manja e cilësoi takimin një hap të rëndësishëm për të maksimizuar efektivitetin e drejtësisë.

Sipas tij, ky do të jetë një proces thellësisht i drejtuar nga realiteti në Shqipëri.

Ai shpjegoi sesi do të nisë ky proces, duke vendosur qytetarin në fokus.

“Harta Gjyqësore do të forcojë besimin se Reforma në Drejtësi do të sjellë rezultatet”, tha Manja në fjalën e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore