Sport

Mandzukic largohet nga Milano


Kualifikimi në Ligën e Kampionëve, ka bërë që drejtuesit e klubit të Milanos të mendojnë për të ndërtuar një skuadër premtuese për sezonin e ardhshëm.

Në ndërtimin e një skuadre, e cila garanton suksese në sezonin e ardhshëm, nuk mund të bëjë pjesë sulmuesi kroat Mario Mandzukic, i cili nuk bëri asnjë paraqitje pozitive me kuqezinjtë.

Mandzukic largohet nga Milano, pas vetëm gjashtë muajsh pasi u transferua, i cili regjistroi vetëm 10 paraqitje të zbehta, ku nuk realizoi asnjë gol.

Kontrata e tij ishte e lidhur me kualifikimin në Ligën e Kampionëve, por një ditë pas përfundimit të sezonit, sulmuesi kroat njoftoi lamtumirën me kuqezinjtë përmes një postimi në instagram.

Ai falënderoi të gjithë futbollistët dhe stafin e klubit, gjithashtu u shpreh i lumtur me kualifikimin e klubit në Ligën e Kampionëve.

“U jam mirënjohës drejtuesve të klubit që më dha këtë mundësi, stafit teknik për punën e përkushtuar dhe shokëve të mi të skuadrës, të cilët nuk janë vetëm lojtarë të shkëlqyer, por edhe një grup i shkëlqyeshëm djemsh”, tha Mandzukic.

“Jam i lumtur që kemi arritur ta rikthejmë këtë klub fantastik në Champions League. U uroj të gjithëve në klub më të mirën për të ardhmen “, përfundoi Mario Manduzkic.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore