Lajme

Mandl, Demirit: Të gjithë qëndrojmë me Izraelin


Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl dhe ambasadorja e Kosovës në Jerusalem, Ines Demiri.

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Kosovës me seli në Jerusalem, Ines Demiri, të cilës i ka shprehur mbështetje për situatën aktuale në Izrael.

Mandl, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’ ka thënë se Austria qëndron me Izraelin.

“Takimi me ambasadoren e Republikës së Kosovës, ulur në Jerusalem, Ines Demiri, gjatë vizitës sonë solidare në Izrael. Ne të gjithë qëndrojmë me Izraelin”, ka shkruar ai.

Militantët e Hamasit i thyen pengesat kufitare dhe u futën nga Gaza në jug të Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë mbi 1 mijë 400 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer mbi 200 të tjerë.

Si pasojë, e bombardimeve të pareshtura izraelite që nga atëherë në Gaza janë vrarë 4 mijë e 741 palestinezë, ndërsa 15 mijë e 898 janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi.

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv në një intervistë me 17 tetor për Albanian Post kishte përshkruar situatën në Izrael.

Ajo kishte sqaruar se ka dallim mes terroristëve të Hamasit dhe popullit palestinez, pasi që sulmi u financua edhe nga Irani.

Duke u shprehur se me palestinezët duan paqe, por grupi terrorist Hamas duhet të zhduket.

Ziv, kishte treguar edhe për përkrahjen që kanë pranuar gjatë kësaj periudhe nga Kosova.

Institucionet e Kosovës janë rreshtuar me Izraelin dhe i kanë dhënë përkrahje shtetit partner.

Këtë përkrahje Ziv kishte thënë se e ka ndjerë, por jo vetëm nga institucionet – “edhe nga njerëzit e Kosovës”.

Ajo thotë se çfarë po ndodhë tani në Izrael përbën “ditët më të errëta të shtetit të Izraelit”, derisa është e bindur se pas Hamas-it qëndron shteti Iranit, si mbështetës, përgatitës dhe influencues i këtij sulmi.

Intervistë me ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv: Ka dallim mes terroristëve të Hamasit dhe popullit palestinez, sulmi u financua edhe nga Irani – me palestinezët duam paqe, Hamasi duhet të zhduket

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore