Shqipëria

Mandati i Xhaçkës, Kushtetuesja dëgjoi pretendimet e palëve


Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë këtë të mërkurë të 18 janarit ka shqyrtuar si rrallë herë më parë dy padi që kërkojnë të njëjtën gjë: shqyrtimin e legjitimitetit të mandatit së deputetit të ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Siç e ka kthyer në zakon, Partia Demokratike depoziton dy kërkesa.

Grupimi i Enkelejd Alibeajt dhe ai i Sali Berishës pretendojnë se mandati i Xhaçkës është i pavlefshëm për shkak se bashkëshorti i saj ka përfituar pasuri publike me shpalljen si investitor strategjik nga Qeveria shqiptare.

Deputetët e selisë blu kundërshtojnë në thelb Kuvendin, i cili refuzoi që t’i heqë mandatin parlamentar deputetes së mazhorancës.

Kujtojmë se Kuvendi miratoi me 73 vota pro dhe 21 kundër, raportin e mazhorancës socialiste që konstatonte se përfitimet si sipërmarrës të bashkëshortit të ministres së Jashtme, nuk e vendosnin Olta Xhaçkën në kushtet e papajtueshmërisë me mandatin parlamentar.

Kështu, të dyja paditë e demokratëve kërkojnë konstatimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën të mandatit të deputetes socialiste.

Trupa gjykuese u njoh me pretendimet e palëve të përfshira në proces dhe në përfundim të seancës u tërhoq për vendim, i cili do të shpallet brenda 30 ditëve të ardhshme.

Mbrojtja e Xhaçkës

Avokati i ministres, Genci Çifligu, ka përdorur si argument tejzgjatjen e vendimmarrjes nga Kuvendi për dy mocionet e opozitës.

Ai shprehet se mocionet e opozitës janë jashtë afateve ligjore.

Pse jashtë afateve?

Sipas Çifligut duhet llogaritur si moment i konstatimit të papajtueshmërisë data 2 mars 2022.

Datë në të cilën është bërë i njohur botërisht fakti që kompania e bashkëshortit të ministres ka fituar statusin e investitorit strategjik.

Ndërkohë, shqyrtimi i mocionit të PD-së në Këshillin e Mandateve nisi me datë 24 qershor 2022, por u shty në disa seanca me kërkesë të socialistëve, që kërkonin kohë për mbrojtje dhe më pas u la në harresë për t’u futur në rendin e ditës së seancës plenare.

Duke u bazuar në afatet kohore, Çifligu i kërkon Kushtetueses që të mos e marrë në shqyrtim kërkesën e 1/5 së deputetëve.

Në të njëjtën linjë mendimi ishte edhe përfaqësuesi i Kuvendit, Erind Mërkuri, i cili ka thënë se deputetja nuk ka kryer veprimtari të tjera vetë dhe se ato (lidhur me investimin e të shoqit), i takojnë personave të tjerë.

Ndaj, për këtë arsye, aktiviteti i familjarëve si veprime të vetë deputetit nuk mund të llogariten e kësisoj, është kërkuar prej tij rrëzimi i kërkesës së demokratëve.

Kushtetuesja vijon seancën e dytë për Xhaçkën, PD-ja shpalos qëndrimin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore