Lajme

Malta merr Presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së – në mes të prillit diskutohet raporti për Kosovën


Ilustrim

Malta ka marrë presidencën e rradhës të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për muajin prill, derisa gjatë kësaj periudhe do të shqyrtohet raporti i ri gjashtëmujor i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e misionit të OKB-së (UNMIK) në Kosovë.

Përfaqësuesja e Maltës, Vanessa Frazier, në një konferencë për shtyp në selinë e OKB-së në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) të hënën, njoftoi se pjesë e mandatit të dytë të Maltës, do të jetë edhe shqyrtimi i raporteve mbi misionin mbështetës të OKB-së në Kosovë dhe Libi.

Në tetor të vitit të kaluar u mbajt seanca e fundit e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi punën e UNMIK-ut, ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet më 22 prill. Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti në shkurt të këtij viti një seancë të jashtëzakonshme pas kërkesës së Serbisë, veçanërisht pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për të ndaluar përdorimin dinarin serb.

Megjithëse anëtarët e Këshillit të Sigurimit janë të bashkuar në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) për për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, ndarjet e thella midis anëtarëve të përhershëm – SHBA, Rusia, Kina, Franca dhe Britania e Madhe – kanë vazhduar të karakterizojnë qasjen e këshillit ndaj zhvillimeve në proces.

Kosova dhe Serbia përplasen për dinarin në debatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore