Lajme

Maloku: Sivjet u ngritën 372 raste për korrupsion, 351 për krime ekonomike


Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, në një konferencë për media ka thënë se gjatë vitit 2021 janë ngritur 372 raste për korrupsion, ndërsa janë zgjidhur 285 prej tyre.

Sipas tij, sa i përket krimeve ekonomike janë ngritur 351 raste e janë zgjidhur 341 prej tyre, pra 97 për qind.

“Raportet aktuale tregojnë për një efikasitet në trajtimin e rasteve të korrupsionit e krimeve ekonomike”, tha Maloku në konferencën vjetore.

Ai ka folur edhe për përplasjet me Ministrinë e Drejtësisë, duke shtuat se janë munduar të gjejnë gjuhë të përbashkët për reformën në drejtësi.

Maloku ka folur edhe për përplasjet që ka pasur me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Është fakt që kemi pasur fërkime me Ministrinë e Drejtësisë, për shkak të një deklarate të zv.ministrit. Kemi menduar që kanë qenë një deklaratë e pa përgjegjshme e cila i ka irrituar kolegët. Ne jemi munduar të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe kemi marrë pjesë në shumë grupe punuese që ka të bëjë me reformën ligjore në sistemin e drejtësisë”.

Ndërkaq sa i përket procesit të vettingut, Maloku ka theksuar se “kemi kontribuar në hartimin e koncept dokumentin për vettingun.

“Kemi hapur konkursin për prokurorë. Kemi avancuar 19 prokurorë në departamentin e krimeve të rënda. Gjatë vitit që po lemë pas kemi pranuar 15 kërkesa për hetim disiplinorë të prokurorëve”, ka thënë ai.

Sipas tij, buxheti për vitin e ardhshëm është më i larti që kanë pasur ndonjëherë.

“Buxheti i Këshillit i miratuar për vitin 2022 është 17 milionë e 144 mijë e 178 euro, e që është buxheti më i lartë që ka pasur sistemi prokurorial por as për këtë vit nuk është miratuar plotësisht sipas kërkesave dhe nevojave tona”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore