Shqipëria

Majko: E drejtë dhe nevojë votimi i emigrantëve


Ministri i Shtetit për Diasporën, Z. Pandeli Majko, gjatë fjalimit të tij në seancën plenare, ditën e hënë, e konsideroi nevojë dhe të drejtë ushtrimin e votës nga emigrantët më 25 prill.

Ai theksoi faktin se duhet shmangur përdorimi i fjalës “emigrantë”, duke e përshtatur “shqiptarët me banim jashtë vendit”.

Majko, deklaroi se Kuvendi ka miratuar nje ligj të dakordësuar për zgjedhjet. Përkatësisht dy nene përfshijnë të drejtën e shqiptarëve jashtë vendit për të votuar.

Administrimi i të gjithë procesit, që nga regjistrimi e deri te administrimi i votës, i takonte Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

“Ky vendim, i takon KQZ-së, e jo Ministrisë së Diasporës, pas miratimit të këtij ndryshimi gjatë seancës plenare në Kuvend”.

Pretendimet se për këtë kërkohet një konsensus mes palëve politike, Majko, i konsideroi të gabuara. Pasi e drejta e votës është një akt ligjor e çdo diskutim e justifikim mbi të është i panevojshëm.

Ish-kryetari i KQZ-së dhe ekspert i reformave zgjedhore, Kristaq Kume, më herët ka deklaruar se vota e emigrantëve, ka qenë gjithnjë sfidë e vështirë për zgjedhjet në Shqipëri.

“Ligji lë të hapur çdo mundësi për votimin e tyre. Ai nuk përcakton si duhet kryer procesi”.

Sipas Kumes, ky do vit do të mundësojë votat e para të shqiptarëve në diasporë.

Reforma zgjedhore përcaktoi të drejtën e emigrantëve për të votuar.

Më 5 tetor 2020, Kodi Zgjedhor autorizoi KQZ-në që të vendosë se kur do t’u krijohet mundësia shtetasve shqiptarë për të votuar jashtë vendit.

Më 5 janar 2021, KQZ-ja publikoi dy variantet zyrtare për krijimin e listës së votuesve nga jashtë vendit.

Varianti i parë do të realizohet nëpërmjet vetë deklarimit on-line, në e-Albania, nga emigrantët.

I dyti parashikon që procedurën e regjistrimit ta bëjë vetë KQZ-ja nëpërmjet një sistemi të posaçëm elektronik.

Brenda datës 11 mars do të bëhet pranimi i kërkesave për regjistrim jashtë vendit. Deri më 16 mars, shqiptarët që kanë kërkuar të votojnë nga jashtë Shqipërisë do të hiqen nga listat e votuesve brenda vendit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore