Shqipëria

Majko betohet si deputet i Kuvendit të Shqipërisë


Pandeli Majko të hënën e 11 prillit është betuar si deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.

Në seancën plenare në rend dite ishte dhe betimi i Majkos, i cili mori mandatin e deputetit pas arrestimit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të Alqi Bllakos për çështjen e inceneratorëve.

Pasi Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin shqyrtoi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për dhënien e mandatit të deputetit për Majkon, fjala do i takonte betimit të tij në parlament.

4 prill KQZ-ja i dha zyrtarisht mandatin e deputeti Majkos.

Majko ka dorëzuar më parë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dokumentacionin përkatës, ku përfshihet posaçërisht edhe formulari i dekriminalzimit.

Duke u konsultuar edhe me organet përkatëse, KQZ-ja ka dalë në përfundimin se Majko nuk ka kryer asnjë shkelje penale ose të ketë vendim gjykate të formës së prerë kundër tij.

Ndaj, është vendosur, si emër pasues në listë pas Bllakos, t’i kalohet atij mandati i deputetit.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Majko mori 8 mijë e 785 vota, por nuk e theu dot herësin prej 10 mijë votash, për të qenë deputet.

Ai ishte i renditur i 19-ti në listë, një më pak se numri i deputetëve që mori PS-ja në Qarkun e Tiranës.

Dorëheqja e Bllakos

Pasditen e 30 marsit, në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë mbërriti kërkesa e Bllakos, me anë të së cilës ai hiqte dorë nga mandati i tij, pasi SPAK kërkoi autorizimin për arrestimin e tij për çështjen e inceneratorëve.

Në shkresën zyrtare nga Bllako theksohej se, “me vullnet të plotë dorëzoj mandatin parlamentar si deputet i PS-së, referuar kërkesës së SPAK-ut drejtuar Kuvendit dhe urdhrit të Kryetares për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet”.

“Me bindjen e plotë se, në fund të këtij procesi, do të provohet pafajësia, integriteti dhe ndershmëria ime në detyrën e ushtruar”, vijonte shkresa nga Bllako.

Ai e mbyllte i prerë se vihet në dispozicion të plotë të drejtësisë, “duke gjykuar t’u hap rrugën e pakushtëzuar proceseve të organeve të drejtësisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore