Film

Magjia e “DokuFest-it” – çfarë e karakterizoi edicionin e sivjetmë?


Festivali “DokuFest” ka vazhduar të mbajë epitetin si një prej evenimenteve kulturore me më së shumti bujë e një fluks gjigand vizitorësh.

Në tërësinë e tij, ky eveniment kapërcen etiketën e një festivali për Kosovën dhe përpiqet të jetë përfaqësues i dëshirës për të sfiduar paragjykimet dhe për të mbrojtur hapjen, duke kultivuar në fund një hapësirë të lirë për të.

“DokuFest”, nisi me 4 gusht dhe zgjati deri më 12 gusht, derisa tema e këtij viti “I AM AI AM I”,  që ka vënë në pah pikërisht marrëdhënien e ngushtë mes njeriut dhe inteligjencës artificiale.

Duke marrë shkas prej temës së vitit të shkuar, ku në qendër ishin vëzhgimet dhe pikëpyetjet ekzistenciale mbi njerëzimin në krizë, këtë vit festivali u rikthye me një tjetër dilemë globale, me qëllim të nxitjes të eksplorimit dhe kuptimit të ndikimit e pasojave të zhvillimit teknologjik për të ardhmen.

Identiteti pamor i fushatës është zhvilluar nga Ali Cindoruk i zyrës Khora, derisa u bë e ditur se gjëegjëza e koduar “I AM AI AM I” është një ndërveprim simetrik midis një shprehjeje ekzistenciale letrare dhe natyrës binare të habitatit llogaritës të AI, që të dyja janë krijime njerëzore të bazuara në gjuhë.

Fjalori pamor i modeleve me shumë shtresa të bazuara në glifet dhe karakteret alfanumerike i jep thellësi historike dhe futuristike dizajnit, në emër të mjeteve të hershme grafike të llogaritjes dhe një morie mundësish që ka e ardhmja e AI.

Pas shpalosjes së programit të plotë, siç e do tradita e “DokuFest” organizoi edhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve, që kësaj radhe u mbajt në kinemanë e hapur “Lumbardhi” në Prizren.

Ceremonia u zhvillua në prani të personaliteteve të shumta, mysafirëve, jurive, sponsorëve dhe partnerëve të festivalit, derisa edhe u shpallën fituesit e edicionit të 22-të të festivalit.

Plot 105 filma ishin në garë për çmime në 8 seksione konkurruese të festivalit dhe u vlerësuan nga një panel jurie, i përbërë nga kineastë, drejtorë festivalesh, profesionistë të filmit dhe aktivistë të të drejtave të njeriut nga e gjithë bota.

Një përzgjedhje prej dymbëdhjetë filmash konkurruan gjithashtu për çmimin e publikut, transmeton AlbanianPost.

Gjatë 9 ditëve sa zgjati festivali, u shfaqën gjithsej 256 filma në 8 kinema dhe ambiente të improvizuara të shfaqjes në të gjithë qytetin, si dhe në ambientet e ITP-së, me seminare, panele, debate, klasa masteri si dhe ekspozita e një seri aktesh live nën muzikën “DokuNights”, duke e kthyer edhe një herë qytetin e Prizrenit në një vend të madh të festimit të kinemasë, muzikës dhe artit.

Çmimi kryesor i festivalit “DokuFest”, “Best Balkan Dox” iu dha regjisores turke, Somnur Vardar për filmin e saj “Drifting”.

Po ashtu, “Hana e Re” dhe “Prishtinë 2002” ishin dy projektet e subvencionuara nga Qendra Kinematografike e Kosovës, që u shpërblyen me çmime.

Filmi “Prishtinë 2002” nga regjisorja Trëndelinë Halili fitoi në kategorinë “National Competition në DokuFest”, dhe jo vetëm.

Regjisorja, Halili ka fituar gjithashtu një çmim në vlerë prej 7 mijë eurosh nga Ikonë Studio, për filmin e saj të radhës.

Në anën tjetër, filmi “Hana e Re” nga regjisorja Jehona Berisha fitoi çmimin për “Distribution/Shpërndarje”.

Mes risive të festivalit, ishte edhe nisma e bashkëpunimit mes QKK-së dhe “DokuFest”, për themelimin e çmimit “TalentDoc”, i cili u nda për filmin “The future is better Comrade”, me qëllim të mbështetjes dhe motivimit të talenteve të reja.

Shpërblime në kategori të ndryshme fituan edhe filmat si “The Crevix Pass”, “Death of a city”, “A golden life”, “7 winters in Tehran”, “Neighbour Abdi”, “Pacific Club” e “Hypermoon”.

Por, pos gjithë madhështisë që ky festival i dhuroi Prizrenit dhe të gjithë audiencës, kësaj radhe realizimi i tij, nuk u prit mirë nga të gjithë.

Mjaftoi performanca e grupit kanadez “Peaches, e cila u dha në mbrojtje të transgjinorëve, por edhe të fenomeneve tjera që mund të konsiderohen tabu në shoqëri, e cila u dha në ambient privat dhe me pagesë e audiencë të targetuar +18, që pikërisht në Prizren, të organizohet një protestë kundër kësaj ngjarjeje kulturore.

Kësisoj, të premten e 11 gushtit në Prizren është protestuar kundër performancës së realizuar në hapje të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, që mbahet në të njëjtin qytet.

Thirrja për protestë ishte bërë Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit – edhe protesta prodhoi lajme jo të mira, derisa gjatë mbajtjes së saj, u sulmua një gazetar e një kameraman, i mediumit – Nacionale.

Lidhur me sulmin në fjalë, kishte reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

“Ky është një sulm i papranueshëm dhe kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve. AGK-ja, kërkon nga Policia arrestimin e menjëhershëm të sulmuesve dhe përballjen e tyre të menjëhershme me drejtësinë”, shkroi AGK në një postim në Facebook.

Qytetarët ishin mbledhur në Sheshin Shatërvan dhe u panë të mbanin në duar mbishkrimet: “Dokufest i keq”, “Jo degjenerimit”, “Drogën larg fëmijëve tanë”, “Prizreni, qytet i historisë”, e të tjera.

Gjithsesi, protestat nuk arritën ta zbehin bujën e suksesin e festivalit – i njëjti mbetet një prej ngjarjeve kulturore më të suksesshme e më fitimprurëse që organizohet në territorin e Republikës së Kosovës – deri në vitin e ardhshëm – lamtumirë “DokuFest”!

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore