Lajme

Macron: Ky nuk është një problem i ‘Viktor Orban’, ekziston ndarje Lindje-Perëndim


“Ky nuk është një problem i ‘Viktor Orban’. Ekziston një ndarje Lindje-Perëndim”. Kështu është shprehur presidenti francez, Emmanuel Macron, pas një debati të nxehtë midis udhëheqësve të Bashkimit Evropian (BE) mbi ligjin e ri anti-LGBT të Hungarisë.

Më pas, Macron thotë se, “ka një problem më të thellë”.

“Ka një rritje të liberalizmit në shoqëritë që luftuan kundër komunizmit, e bënë atë, u bashkuan me ekonominë liberale dhe më pas me BE-në. Mbi të gjitha, sot po tërhiqen drejt modeleve politike dhe shoqërore që shkojnë kundër vlerave tona”, theksoi Macron të premten e 25 qershorit.

Ligji i Hungarisë

Ligjvënësit hungarezë, të martën e 15 qershorit, votuan mbi projekt-ligjet që ndalojnë çdo përmbajtje që portretizon ose promovon homoseksualizmin ose ndryshimin e seksit ndaj cilitdo nën moshën 18 vjeç.

Ai përfshin një masë që synon luftimin e pedofilisë, së bashku me ndryshime të tjera që ndalojnë transmetimin e informacionit në lidhje me personat LGBT ose marrëdhëniet e të njëjtit seks tek të rinjtë.

Ndryshimet hungareze do të nxjerrin jashtë ligjit çdo përshkrim ose diskutim të identitetit të ndryshëm gjinor dhe orientimit seksual në publik, përfshirë në shkolla dhe media.

Reagimet e ndërkombëtarëve

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, e ka quajtur këtë ligj “një turp”.

Mark Rutte, Kryeministri i Holandës, ka thënë se, “Hungaria nuk ka më vend në BE, pasi kaloi ligjin e kundërshtuar për të hequr përmbajtjet e edukimit mbi komunitetin LGBTQ”.

Nga 27 vendet e unionit, 14 prej tyre kanë shprehur shqetësime të mëdha për situatën. Pala hungareze akuzohet deri edhe për “homofobi” mbi këtë ngjarje.

Çfarë ka thënë Orban?

Kryeministri hungarez Viktor Orban, ka qartësuar versionin e tij mbi çështjen.

“Nuk është një ligj kundër homoseksualëve. Është për prindërit dhe fëmijët”.

Ndër të tjera, Orban shtoi se ai është një luftëtar për të drejtat e njeriut dhe e ka mbrojtur këtë komunitet gjatë kohës së komunizmit.

“Homoseksualiteti ndëshkohej dhe unë isha atje për të luftuar për ta. Kështu që, unë jam me ta, por edhe prindërit dhe fëmijët kanë të drejtat e tyre”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore