Lajme

Lumir Abdixhiku mund të mos kandidojë për kryeministër, ky është plani thonë burimet


Foto: Albanian Post

Në zgjedhjet e ardhme parlamentare në Kosovë, kurdo që mbahen ato, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, mund të mos i futet garës si kandidat i LDK-së për kryeministër.

Nga burime të Albanian Post brenda LDK-së, thuhet se kjo çështje është diskutuar – diskutime në fazën fillestare – në një rreth tejet të ngushtë të kryesisë së kësaj partie.

Sipas të njëjtave burime, janë diskutuar edhe disa opsione se kush mund të jenë kandidatët tjerë brenda LDK-së që do të merrnin këtë rol në zgjedhjet që të rregullta mbahen më së largu në marsin e vitit të ardhshëm, e të jashtëzakonshme në verën e vonë të këtij viti.

Mosmarrja pjesë në zgjedhje si kandidat për kryeministër e Abdixhikut është vetëm pjesa e parë e planit, thonë burimet.

Në zgjedhjet e ardhshme lokale, që janë pas atyre parlamentare, Abdixhiku po e shqyrton mundësinë e garimit si kandidat i LDK-së për kryetar komune.

Sipas matjeve të opinionit publik, LDK-ja ka kuptuar se qëndron më mirë se çdo parti tjetër në Prishtinë dhe fshatrat përreth, prandaj Abdixhiku beson se aty do ta shënonte fitoren e parë të tij elektorale.

Përndryshe, nëse garon si kandidat i LDK-së për kryeministër, për shkak të popullaritetit të Lëvizjes Vetëvendosje që nuk ka rënë, ai do të ndahej me një humbje në zgjedhjet e tij të para parlamentare.

Duke mos e dashur këtë humbje dhe duke e shpresuar një fitore në Prishtinë, Abdixhiku prodhon për vete një situatë më të favorshme edhe për zgjedhjet e mëpastajme nga ku do t’i futej garës si udhëheqës i kryeqytetit (një nga postet më të rëndësishme politike në Kosovë).

Ndryshe nga informacionet e Albanian Post, Berat Rukiqi, anëtar i ri i kryesisë së LDK-së, ka thënë se kjo nuk është e vërtetë.

“Këtë problem mund ta kenë partitë tjera, por jo ne. Kuvendi i fundit zgjedhor unanimisht e ka zgjedhur Lumirin për kryetar të partisë, me mandat të fuqishëm dhe të gjithë jemi të përbashkuar rreth kandidaturës së tij për kryeministër. LDK nuk ka qenë asnjëherë më unike, në këtë temë”, ka thënë Rukiqi për Albanian Post.

Por, sipas burimeve të Albanian Post, ka edhe emra konkret që janë përmendur për këtë strategji politike të Abdixhikut.

Dy figurat që janë përmendur për të dal si të propozuar për kryeministër të Kosovës nga radhët e LDK-së, sipas burimeve, janë kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe kryetar i Lipjanit, Imri Ahmeti.

AP ka provuar të kontaktojë me Muhaxhirin dhe Ahmetin, por nuk kanë qenë të qasshëm në telefon.

Por, edhe mos-kadidimin potencial të Abdixhikut, edhe kandidimin eventual të Muhaxhirit e Ahmetit, i ka mohuar edhe nën-kryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

“Absolutisht e pavërtetë”, ka thënë Bajrami për Albanian Post.

“Lumir Abdixhiku është kandidati dhe kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës”, shtoi shkurtimisht Bajrami.

Ndryshe, Abdixhiku erdhi në krye të LDK-së gjatë vitit 2021 pasi e mposhti Lutfi Hazirin në garën për kryetar.

Gjatë udhëheqjes së partisë nga ai, LDK-ja në zgjedhjet e fundit lokale që u mbajtën më 17 tetor të vitit 2021 doli e para duke fituar gjithsej shtatë komuna.

Ndërsa në nëntor të vitit të kaluar, Kuvendi zgjedhor i LDK-së ia ka besuar edhe një mandat katër vjeçar Abdixhikut, meqë ky i fundit mori votat unanime të delegatëve.

Ai kishte theksuar para delegatëve se me të në krye, LDK ka arritur ta bëjë “rrugën e ringritjes së madhe”.

“Dy vite e gjysmë më parë ne u gjendëm para një sfide të pazakontë për ne”, potencoi ai, duke përmendur rezultatin më të dobët historik që LDK-ja e mori në zgjedhjet e vitit 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore