Lajme

Luftanija turke ankorohet në Izrael pas më shumë se një dekade


Një luftanije turke u ankorua në portin e Haifa-s për herë të parë në më shumë se një dekadë, si pjesë e një patrullimi të NATO-s në rajon.

TCG Kemalreis (F-247), një fregatë e klasit Barbaros, u ankorua në portin verior së bashku me USS Forrest Sherman, një shkatërrues amerikan me raketa të drejtuara.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë vendase, duke cituar IDF-në izraelite.

“Akordimi është pjesë e bashkëpunimit të Izraelit dhe mbështetjes së NATO-s”, tha IDF-ja.

Kemalreis, një nga anijet më të avancuara në Marinën Turke, është anija e parë luftarake që u ankorua në Izrael që nga viti 2010.

Kjo, pasi Ankaraja ndërpreu marrëdhëniet me shtetin hebre pas incidentit të Mavi Marmara-s, duke shkaktuar një krizë të paprecedentë diplomatike mes aleatëve.

Ankaraja dhe Jerusalemi për vite me radhë kishin lidhje të ngushta në industrinë e mbrojtjes, duke përfshirë bashkëpunimin e sigurisë, shkëmbimin e inteligjencës dhe trajnimin ushtarak.

Marrëdhënia filloi në vitet 1960 dhe arriti kulmin në vitet 1990 me Marrëveshjen e Bashkëpunimit të Mbrojtjes të vitit 1994 dhe Marrëveshjen e Bashkëpunimit të Trajnimit Ushtarak të vitit 1996.

Me këto dy marrëveshje, lidhjet e sigurisë ushtarake u bënë nga më të afërtat në Lindjen e Mesme, me Izraelin – sipas raporteve të huaja – madje duke siguruar inteligjencë për Turqinë në luftën e saj kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Për më tepër, Turqia dikur ishte një nga klientët kryesorë të armëve të Izraelit, me firmat izraelite që përmirësonin tanket turke M60 dhe avionët F-4E.

Firmat izraelite gjithashtu furnizuan Turqinë me dronë të armatosur Heron, sisteme elektronike të zbulimit dhe mbikëqyrjes, si dhe sisteme të avancuara raketore dhe municione inteligjente.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore