Lajme

Lufta në Kazakistan, liderja e opozitës bjelloruse dënon dërgimin e trupave ushtarakë nga Presidenti


Liderja e opozitës në Bjellorusi, Sviatlana Tsikhanouskaya

Liderja e opozitës në Bjellorusi, Sviatlana Tsikhanouskaya, ka dënuar veprimin e presidentit bjellorus Alexander Lukashenko, për dërgimin e trupave ushtarakë në luftën civile në Kazakistan.

“Trupat e Bjellorusisë të dislokuara në Kazakistan marrin pjesë në një ndërhyrje të armatosur në punët e brendshme të një shteti sovran. Lukashenka humbi legjitimitetin dhe nuk ka mandat për të marrë vendime të tilla”, shkruan Tsikhanouskaya në median sociale Twitter.

Sipas saj këto vendime kërcënojnë sovranitetin e vetë Bjellorusisë. “Ne bëjmë thirrje për dialog në Kazakistan”, e mbyll liderja e opozitës bjelloruse thirrjen e saj.

Po ashtu edhe në Moskë disa qytetarë rusë u arrestuan pasi protestuan pranë Ambasadës së Kazakistanit kundër dërgimit të trupave nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) në Almaty.

Çfarë po ndodh në Kazakistan?

Në orët e para të së mërkurës, Kazakistani është zgjuar nën zhurmën e protestës dhe tymin e revolucionit.

Sipas burimeve të “Orda.kz”, ndërtesa e Departamentit të Policisë së Almaty-t është sekuestruar nga protestuesit.

Këta të fundit, janë armatosur edhe duke kapur armatimet e efektivëve në rrugë.

Me dorëheqjen e qeverisë kazake, protestuesit nuk kanë ndalur zemëratën e tyre, duke iu drejtuar zyrave qeveritare dhe atyre të prokurorisë.

Vendi u përfshi nga protestat masive në orët e mbrëmjes të 4 janarit, si pasojë e rritjes së çmimit të karburantit.

Edhe pse presidenti kazak, Kassym-Jomart Tokayev siguroi se situata po qetësohej, ka ndodhur krejt e kundërta.

Situata në qytete

Almaty është kthyer në epiqendrën e protestës në Kazakistan, e cila ka marrë përmasa kombëtare.

Në Atyrau, “kryeqytetin” energjetik të Kazakistanit kanë shpërthyer trazirat e dhunshme.

Aty gjenden kompanitë e mëdha perëndimorë si “Chevron”, “Exxon” dhe “Shell”.

Në Kostany janë regjistruar përleshje mes protestuesve dhe policisë, kordoni i të cilëve është thyer.

Ndërsa, në Aktau protestuesit kanë ndaluar ushtarët, duke i zbritur nga kamionët dhe duke i sekuestruar pajisjet e tyre.

Ministria e Jashtme turke, ka reaguar përmes një qëndrimi zyrtar duke e konsideruar si “të rëndësishëm stabilitetin e Kazakistanit”.

“Shpresa jonë është paqja dhe qetësia e popullit vëlla kazak. Ne kemi besim të plotë se administrata e Kazakistanit do ta kapërcejë këtë krizë”, shkruhet në deklaratë.

Ndërkaq, Kremlini zyrtar ka garantuar se autoritetet kazake nuk kanë kërkuar ndihmë nga Federata Ruse.

Masat

Më herët, policia përdori gaz lotsjellës dhe granata trullosëse për të larguar qindra protestues nga sheshi kryesor në Almaty.

Protestat tronditën imazhin e Kazakistanit si një vend politikisht i qëndrueshëm.

Teksa komunikoi me anëtarët në detyrë të kabinetit, Tokayev urdhëroi ata dhe guvernatorët e provincave të rivendosin kontrollet e çmimeve të LPG-së (gazi i lëngshëm i naftës).

Numri një i presidencës kazake urdhëroi gjithashtu qeverinë të zhvillojë një ligj për falimentimin personal.

Presidenti kazak tha se situata po përmirësohej në qytetet e goditura nga protestat pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Rindërtimi i ngjarjes

Protestat nisën në provincën perëndimore prodhuese të naftës të Mangistau-s të dielën e 2 janarit.

Kjo, pas heqjes së kufirit të çmimit të gazit të lëngshëm të naftës, një karburant popullor makinash.

Një ditë më pas çmimi i tij u dyfishua.

Tokayev shpalli gjendjen e emergjencës në Almaty dhe Mangistau.

Ai do të shprehej se, pas dhunës, qëndronin provokatorë vendas dhe të huaj.

Ministria e brendshme kazake tha se, përveç Almat-it, ndërtesat qeveritare u sulmuan në qytetet jugore të Shymkent-it dhe Taraz-it gjatë natës.

Bilanci ishte 95 oficerë policie të plagosur dhe më shumë se 200 persona të arrestuar.

Kryebashkiaku i Almaty-t, Bakytzhan Sagintayev, në një fjalim para banorëve tha se situata në qytet ishte nën kontroll dhe forcat e sigurisë po arrestonin “provokatorët dhe ekstremistët”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore