Sport

Liverpool mbetet favorit për transferimin e Bellingham


Jude Bellingham e ka “nxehur” afatin kalimtar të verës edhe pse aktualisht jemi ende në atë të janarit.

Për mesfushorin e talentuar janë në garë të ashpër ekipe të mëdha evropiane si Liverpool, Manchester City e Real Madrid.

Por, duket se më favoriti për të nënshkruar me 19-vjeçarin anglez është skuadra e Liverpool-it.

Sipas asaj që shkruan Sky Sport në Gjermani, trajneri i Liverpool-it, Jurgen Klopp, pritet të luajë një rol kyç në transferimin e Bellingham-it në ekipin e tij.

Reporteri i Sky Sport Gjermani, Florian Plettenberg, ka thënë se trajneri gjerman do ta bindë lojtarin.

“Ne të gjithë e dimë se Bellingham do të largohet këtë verë dhe se nuk ka asnjë shans që Dortmund ta mbajë atë”, tha Plettenberg.

“Por ai ka një kontratë pa një klauzolë lirimi, kështu që çmimi është shumë i lartë. Dortmund dëshiron të ketë 100 deri në 150 milionë euro për ta liruar atë në verë”, shtoi gazetari i Sky Sport.

“Ka tre objektiva për të – Real Madrid, Manchester City dhe Liverpool. Këta të fundit janë favoritët dhe Jurgen Klopp thotë se ai është objektivi i tij numër 1 i transferimit”.

“Klopp nuk ka folur ende personalisht me Bellinghamin, por bisedat janë zhvilluar me njerëz si Julian Ward. Tani ata vetëm duhet të gjejnë se kush i paguan paratë”, tha mes tjerash gazetari i Sky Sport.

Para pak kohësh, Klopp e kishte quajtur “të jashtëzakonshëm” anglezin, pas paraqitjeve të tij në Kupën e Botës me Anglinë.

Kujtojmë që Liverpool është duke kaluar në formë të dobët në Premier Leauge dhe Klopp ka lënë të kuptohet se skuadra e tij do të pësojë ndryshime të rëndësishme këtë verë.

Bellingham është duke kaluar në formë shumë të mirë në këtë edicion me Dortmund-in, i cili ka shënuar 10 gola dhe ka dhuruar katër asistime në 23 ndeshje në të gjitha garat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore