Sport

Liverpool dhe Manchester United përcjellin nga afër situatën e Saka-s


Liverpool dhe Manchester United janë gjithnjë në përcjellje të situatës së Bukayo Saka-s te Arsenal-i.

Saka është një ndër lojtarët më të dalluar të topçinjëve dhe një nga talentët më të mëdhenj të futbollit anglez.

Lojtari i rritur në akademinë “Hale End” të Arsenal-it, shumë shpejtë ka bërë emër me paraqitjet e tij.

Saka debutoi me Arsenal-in para dy viteve.

Në këtë periudhë, ai ka arritur që të sigurojë vendin startues dhe statusin e lojtarit të rëndësishëm te Arsenal.

Poashtu, ai ka siguruar edhe vendin e tij te përfaqësuesja e Anglisë, ku ishte pjesë e skuadrës së EURO 2020 gjatë verës që lamë pas.

Në 166 paraqitje deri tani me skuadrat e moshave dhe skuadrën e parë të Arsenal-it, nga mesfusha – Saka ka arritur të shënoj 40 gola, të cilave iu ka shtuar edhe 44 asistime.

Mirëpo, përkundër se është rritur te Arsenal-i, Saka e ka bërë të qartë gjithnjë që dëshiron të jetë pjesë e një projekti fituesi.

Forma e dobët e Arsenal-it në vitet e fundit, pamundësia që të kualifikohet në Champions League, kanë ngjallur dyshime te Saka.

Kontrata e tij skadon në vitin 2024, dhe momentalisht duket se bisedimet për rinovimin e kontratës do të jenë shumë të vështira.

Situatën e tij nga afër po e përcjellin Liverpool dhe Manchester United.

Nëse dera hapet, atëherë të parët brenda do të jenë pikërisht këto dy skuadra.

Saka vlerësohet 65 milionë euro, dhe nëse Arsenal nuk arrinë të rinovojë kontratën me të, atëherë ata do të kërkojnë për skuadra që janë të gatshme të paguajnë këtë shumë.

E ardhmja e futbollit tre luan, në fokusin e skuadrave më të mëdha në ishull. Vendimi i takon vetëm Saka-s, dhe ai vendim padyshim do të jetë interesant.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore