Lajme

Lista Serbe e pakënaqur me raportimet e mediave: “Ne kemi kontakte të përditshme me ndërkombëtarët”


Përfaqësuesit e Listës Serbe

Katër ditë, katër komunikata. Të gjitha në mbrojtje të kriminelit të kërkuar nga autoritetet dhe të sanksionuar nga Thesari amerikan i shtetit, Milan Radoiçiç.

Kështu në komunikatën e radhës, Lista Serbe, kësaj here ka shprehur pakënaqësinë e saj me raportimet e mediave kosovare, duke i cilësuar këto raportime të “trishtueshme” e të cilat janë në shërbim të “minimit të fuqisë politike që ka kjo listë”.

Mediat në Kosovë, sipas Listës Serbe, fabrikojnë e shkruajnë lajme në emër të burimeve inekzistente, vetëm e vetëm për ta diskredituar partinë në fjalë.

“Lista Serbe, ka organet dhe përfaqësuesit e saj që kanë kontakte të përditshme me përfaqësues ndërkombëtar, me emër e mbiemër, e jo të shpikura sikur ato në mediat në Kosovë. Ne jemi përfaqësues legjitim të popullit serb me më shumë se 90 për qind të mbështetjes”, thuhet në reagimin e tyre.

Më tej Lista Serbe, ka qortuar edhe mediat në Serbi, duke kërkuar nga këta të fundit që ta ruajnë nivelin e profesionalizmit dhe të mos transmetojnë lajme, siç e quajnë ata të “fabrikuara” e të mbushura me “gënjeshtra”.

Ndryshe në tre reagimet e fundit të Listës Serbe, çështja kryesore ka qenë Milan Radoiçiç, i cili u kritikua së pari nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, pasi ky i fundit e lidhi atë me sulmin që ngjau në Veri ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës nga kontrabandues të mallrave.

Lista Serbe, kishte reaguar edhe pas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili gjatë një konference për media, Radoiçiçin e kishte cilësuar si një person i cili po dëshiron ta destabilizojë Kosovën.

Kritikat ndaj Radoiçiç, e kishin alarmuar Listën Serbe, kështu kjo e fundit kishte reaguar edhe ndaj deklaratave të kryetares së Lëvizjes Evropiane të serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore