Kosova

Lista e Dështimit


Foto nga Albanian Post

Me gjithë marrëveshjen e 27 shkurtit mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve dhe dakordimit më 18 mars në Ohër të Maqedonisë Veriore për Aneksin për zbatimin të marrëveshjes, Lista Serbe nuk do të marr pjesë në zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore që do mbahen më 23 prill.

Lista Serbe, ashtu siç kishte paralajmëruar, nuk ka aplikuar fare për t’u certifikuar për zgjedhjet e parakohshme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, meqë kanë përmendur dy kërkesa, të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe të tërhiqen policia e Kosovës nga Veriu.

A do të thotë kjo se po dështon marrëveshja e Ohrit në provën e parë?

Ligjëruesi i medias dhe konfliktit në Universitetin Adger, Abit Hoxha, thotë për Albanian Post se çështja është mjaft e komplikuar me Listën Serbe edhe pasi që kjo e fundit nuk është pjesë e kësaj marrëveshje, por mbetet si “pykë mes dy shteteve- por e dirigjuar nga Serbia”.

“Test i parë për këtë marrëveshje janë zgjedhjet dhe po, kjo marrëveshje rrezikohet nëse forca ma e madhe politike nuk merr pjesë dhe me këtë mospjesëmarrje – ja pamundëson qytetarëve në veriun e vendit të marrin pjesë, atëherë zgjedhjet dështojnë së pari por edhe marrëveshja”, tha Hoxha.

Abit Hoxha

Por, ai thekson se Marrëveshja e Ohrit ka “një armik” tjetër më të madh.

“Armiku është pretendimet territoriale dhe kjo e kërcënon këtë marrëveshje me se shumti”.

Në anën tjetër me apo pa Listën Serbe, “zgjedhjet duhet të mbahen” insiston ish-kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Mazllum Baraliu për Albanian Post.

“Zgjedhjet do duhej të mbaheshin dhe të zbatohet ligji”, shtoi ai.

“Nuk guxojmë të lejojmë që institucionet e vendit të shantazhohen nga një grup njerëzish, apo subjekt politik dhe të mos e respektojnë Kushtetutën e vendit dhe ligjin për zgjedhje lokale”, potencoi ai.

Prandaj, “do të duhej t’i organizojnë ato zgjedhje në afatet e caktuara, fiks me dinamikën që parasheh ligji për zgjedhje lokale dhe Kushtetuta e vendit”.

Madje, për Bajraliun, një shtyrje tjetër e zgjedhjeve nuk do duhej të ndodhte edhe nëse Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – refuzon të marrë pjesë.

“Institucionet e vendit janë të detyruara që brenda afateve t’i organizojnë zgjedhjet”.

Mazllum Baraliu

“Pa marrë parasysh se sa për qind dalin do të duhej të organizoheshin zgjedhjet atje”, insiston Baraliu.

“Duhet të zbatohet ligji dhe Kushtetuta si dhe policia e vendit, institucionet dhe KQZ-ja”, shtoi profesori universitar.

Ndërsa, kryeminatori i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar në mënyrë imediate nga Bashkimi Evropian që ta dënojë Serbinë për shkelje të Marrëveshjes së dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel.

Kjo pasi që sipas tij Beogradi zyrtar ka ndikuar në mënyrë direkte te Lista Serbe, e cila ka refuzuar të marrë pjesë në zgjedhjet jashtëzakonshme të 23 prillit për katër komunat Veriore të Kosovës.

“Lista Serbe refuzoi të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në 4 komunat veriore të Kosovës. Kjo është një shenjë e qartë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe ndërhyrjes së vazhdueshme në punët e brendshme të Kosovës. BE-ja duhet të dënojë këtë shkelje të shpejtë të Marrëveshjes Themelore”, ka shkruar Kurti në rrjetin e tij social në Twitter.

Më 10 dhjetor të vitit të kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit konsultativ me partitë politike lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në Veri, kishte vendosur t’i shtyjë zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan të cilat do të mbaheshin me 18 dhe 25 dhjetor.

Osmani kishte thënë se zgjedhjet për këto katër komuna do të mbahen më 23 prill të vitit 2023.

Arsyeja e shtyrjes së zgjedhjeve, sipas Osmanit, është niveli i rrezikshmërisë.

Osmani më tej kishte bërë të ditur se ka pranuar një raport të përbashkët të Policisë dhe Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për vlerësim të nivelit të rrezikut në pjesën Veriore të vendit.

Zgjedhjet në Veri ishte paraparë që të mbahen më 18 dhjetor të vitit të kaluar.

Dorëheqja e zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës në nivel politik dhe administrativ, erdhi meqë Qeveria fillojë implementimin e sekuencuar të vendimit për qortimin dhe gjobitjen e atyre që bartin targa ilegale të prodhuara në Serbi.

Katër kryetarët e komunave veriore dorëheqjen e tyre e kishin dhënë të dielën e gjashtë nëntorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore