Lajme

Lirohet nga detyra polici që u pezullua pasi kritikoi shtetin


Ish-zyrtari policor, Amir Hoxha, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook ka bërë të ditur se është larguar nga Policia e Kosovës, pasi i njëjti muaj më parë u pezullua nga detyra, për shkak se ishte kritik për mospagesën e shujtave dhe orëve shtesë për zyrtarët policorë.

“Zyrtarisht nuk jam më polic”, ka shkruar Hoxha në një postim në rrjetin e tij social në Facebook.

Ndërsa disa orë më vonë, Hoxha përsëri përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook ka theksuar se ka pranuar njoftimin zyrtarë për shkëputjen e kontratës së punës nga Policia e Kosovës.

Sipas tij, çështja në fjalë ka marrë konotacion politikë, ani pse qëllimi i tij nuk ka qenë një gjë e tillë.

“Nuk më intereson as që më ka interesuar ndonjëherë asnjë subjekt politik , apo nuk jam lëpirë pas pushteteve vetëm e vetëm të ndërtoj karrierë apo të ngrihem në pozitë”, ka shkruar ai.

Ai më tej ka deklaruar se ndihet krenar për punën dhe kontributin e tij gjersa ka shërbyer për institucionin në fjalë.

“Po, ashtu më gëzon fakti se kem shërbyer bashkërisht me shumë djem e vajza që kanë qenë shumë profesional, të guximshëm e atdhetarë e që është një vlerë jetike e vet Shtetit te Kosovës në përgjithësi e Policisë si institucion në veçanti, mirëpo në rastin tim a e kam merituar at trajtim nga shteti i Kosovës?”, ka pyetur ai.

Në anën tjetër në një prononcim për Albanian Post, avokati i Hoxhës, Gent Gjini, ka konfirmuar se klientit të tij i është shkëputur kontrata

“Policia e Kosovës ja ka shkëputur kontratën e punës si polic ende pa pritur padinë civile për kthim në vend të punës e po ashtu kallëzimin penal të cilat i kemi dorëzuar tash afro katër muaj”, ka thënë Gjini për AP.

Ai madje ka bërë të ditur se, pas këtij vendimi do të ndërmarrin masa ligjore të mëtutjeshme.

“Do të drejtohemi edhe ambasadës amerikane”, ka shtuar ai.

Avokati i ish-policit, Amir Hoxha – Gent Gjini

Ndryshe, Amir Hoxha, zyrtar i Policisë së Kosovës, ishte pezulluar nga detyra për një afat kohor prej tre ditësh, pasi i njëjti kishte postuar në rrjetin e tij social në Facebook një status lidhur me pakënaqësinë e tij për mos pagesën e shujtave për policët.

Ai madje i indinjuar me rregulloren e Kuvendit për pagesën e udhëtimit për deputetët, kishte bërë krahasimin ndërmjet një polici, të cilit nuk i paguhet shujta gjatë kryerjes së detyrës dhe një deputeti i të cilit i paguhet karburanti, edhe pse ky i fundit mund të bëjë edhe pa të.

Për Policin në fjalë pezullimi i tij nga detyra vjen me pretekstin se i njëjti ka kryer vepër penale apo shkelje të rëndë disiplinore, pasi ka shprehur mendimin e tij të lirë për një pakënaqësi.

“Sapo mora njoftimin për suspendim të përkohshëm timin në afat prej tre ditësh lidhur me një postim që e kam bërë me datën 04.02.2022 në lidhje me pakënaqësinë time për mos-pagesën e shujtave për policët ne kryerje të detyrës e qe ligjërisht na takojnë”, kishte shkruar Hoxha në Facebook.

“Me sa e di unë me njohurinë time si jurist i diplomuar në Universitetin e Prishtinës ‘fjala e lire apo shprehja e një pakënaqësie e cila është e bazuar në Ligj’ nuk paraqet vepër penale”.

LAJMI I PËRDITËSUAR  

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore