Shqipëria

Lirohet nga burgu ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci


Ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci, është liruar nga burgu këtë të enjte të 28 marsit.

Kjo pasi GJKKO pranoi kërkesën e avokatëve të tij. Sipas tyre, Tuci e kishte shlyer kohën e dënimit në paraburgim.

Tuci u arrestua me urdhër të SPAK-ut me akuzën se i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 234 milionë lekë me tenderin e një rruge.

Dhe për këtë çështje ra në pranga edhe administratori i njësisë Iballë në Pukë teksa u shpall në kërkim pronari i kompanisë që kreu punimet pa leje, pasi ka shkatërruar zonën e pyllëzuar.

Sipas SPAK, Tuci akuzohet si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu është vendosur masa “arrest shtëpie” për personin nën hetim N. M., si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimi i detyrës”.

Ndërkaq, caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për personin nën hetim D.M., si person i dyshuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Shkatërrimi i pronës”.

E gjitha ka nisur kur SPAK ka regjistruar procedimin penal me objekt hetimi procedurën e ndjekur për hapjen e një segmenti të ri rrugor në territorin administrativ të Bashkisë Fushë-Arrëz.

Pas kryerjes së veprimeveka rezultuar se në territorin nën juridiksionin administrativ të Bashkisë, në kundërshtim me të gjithë kuadrin ligjor në fuqi, është hapur një segment i ri rrugor rreth 1.8 km dhe gjerësi rreth 5 m, i cili ka cenuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të kësaj Bashkie si edhe ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor.

Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit të kryer në terren, kap vlerën e konsiderueshme të 234 milionë lekëve, i cili përfshin dëmtimin e terrenit si edhe shpyllëzimin e sipërfaqes se regjistruar pranë ASHK, Drejtoria Vendore Pukë, si pasuri të llojit “Pyll” në pronësi të Bashkisë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar e provuar se ish-titullari i Bashkisë Fushë Arrëz, në bashkëpunim më ish-Administratorin e Njësisë Administrative Iballë, shtetasin N. M., me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin kanë lejuar hapjen e një segmenti të ri rrugor auto rural, të pamiratuar më parë nga autoritetet kompetente.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore