Lajme

Liria nuk i pëlqen as Putin-it, as rusëve


Stadiumi Lužniki në Moskë, i cili gjithashtu priti një finale të Kupës së Botës, ka vetëm 78 mijë vende.

Por, sipas autoriteteve të Moskës, me rastin e fjalimit të Vladimir Putin-it në përvjetorin e pushtimit të Krimesë, ai përmbante 95 mijë njerëz brenda në stadium dhe më shumë se 100 mijë përjashta. Të gjithë me Z (përditësim bashkëkohor i svastikës naziste dhe stema e “Operacionit Special në Ukrainë”) në gjoks.

Gënjeshtrat, madje edhe ato më të padobishmet, si kjo për frekuentimin e stadiumeve, janë përbërësi kryesor i propagandës post-sovjetike të Vladimir Putin-it.

Atë që ai e ripropozoi në fjalimin përpara kombit, është identike me vetveten si në shfaqjet e mëparshme.

Fjalimi përpara masave, me “Z” në gjoks, sillte jehonën e të njëjtave slogane “Për një botë pa nazizëm! Për Rusinë! Për Presidentin!”.

Putin njoftoi se “Operacioni Special”, siç i quan ai pushtimet e tij, “po i arrin objektivat” dhe se “ushtarët heroikë rusë” po mbulohen me lavdi.

“Fjalët që dalin nga librat e shenjtë (duke iu referuar Biblës) janë vlera universale, të dashura për të gjithë popujt dhe për të gjitha besimet, por mbi të gjitha edhe për ne: konfirmimi është se ushtarët tanë luftojnë krah për krah, mbështesin dhe mbrojnë njëri-tjetrin në fushën e betejës si vëllezër. Ne nuk kemi parë kaq shumë unitet prej një kohe të gjatë”.

Përsëri gënjeshtra: lajmet ndërkombëtare janë plot me rrëfime për rekrutët që dorëzohen, për njësitë që refuzojnë të luftojnë dhe për mijëra vdekje në luftime. Aq shumë, saqë për të vazhduar luftën, Rusia, pavarësisht se ka vendosur pjesën më të madhe të fuqisë së saj ushtarake në Ukrainë, tani duhet t’u drejtohet çeçeneve, sirianëve dhe, pavarësisht se Putin-i e ka mohuar, edhe rezervistëve.

Fjalimi i liderit rus u përshëndet dhe u shoqërua me himne dhe slogane nacionaliste, por agjencitë e lajmeve flasin edhe për shumë nga punonjësit e administratës publike të sjellë në stadium nga policia në autobusë dhe kamionë.

Të gjithë diktatorët flasin në sheshe apo stadiume të mbushura.

Regjimi i Vladimir Putin-it është një regjim dhune, ndaj ukrainasve dhe ndaj vetë rusëve: të burgosur, të censuruar, të spastruar nëse nuk respektojnë rregullat e propagandës shtetërore.

Zyrtarë të lartë të shtetit ukrainas, duke filluar nga ambasadori i Ukrainës në Gjermani dhe deri te ministri i Jashtëm, Dimytro Kuleba, apo këshilltarë të presidentit Volodymyr Zelensky, i shpjeguan kancelarit gjerman Olaf Scholtz, i cili bëri dallimin mes Putin-it dhe popullit të tij, se “Putin-i e ka vendosur luftën, por janë rusët që na bombardojnë çdo ditë”. “Se dikush hedh bomba në qytetet e Ukrainës, qëllon të evakuuarit, formon ‘Z’ në mbështetje të Putin-it”. “Ashtu si në vitet 1930, ata mbajnë përgjegjësi, qoftë edhe të helmuar nga propaganda”, shkruan Kuleba në llogarinë e tij në Twitter.

Shkurtimisht, a mundet një popull të refuzojë përgjegjësinë për krimet e kryera nga qeveria e tij?

A mund të jetë vërtet e pafajshme dora që hedh bombën mbi civilët ukrainas të rreshtuar për bukë ose për të ikur nga lufta?

Dhe, a mundet një popull, që për më shumë se 20 vjet ka mbajtur në pushtet një njeri si Vladimir Putin duke mbështetur politikat e tij agresive, i akuzuar nga vetë ish-kolegët e tij të KGB-së se ka qenë ai që ka organizuar sulmet e vitit 2000 në Moskë, mbi rrënojat e së cilës fitoi zgjedhjet, a mundet ky popull të deklarohet i pafajshëm?

Në atë kohë, një sondazh zbuloi se 80 për qind e rusëve preferonin në jetën e tyre një njeri të fortë në pushtet më shumë sesa të drejtat civile.

Sondazhet e ndryshme të orëve të fundit na tregojnë se mbi 70 për qind e rusëve mbështesin pushtimin e Ukrainës të urdhëruar nga lideri i tyre.

Jo vetëm kaq, por besojnë në gjenocidin e banorëve të Donbas-it (i mohuar nga një vendim i gjykatës së OKB-së), besojnë në nazizmin e ukrainasve dhe në nevojën për t’u mbrojtur nga Perëndimi dhe NATO-ja, që “duan të shkatërrojnë Rusinë” (sipas fjalëve të Putin-it) .

Zelensky ka të drejtë: përgjegjësitë e Putin-it nuk mund të dallohen nga ato të rusëve. Është ai që vendosi të hyjë në luftë, por ata po e bëjnë. Dhe është Putin-i, ai që ata e votojnë në çdo hap elektoral.

Ukrainasit po i tregojnë gjithë botës se çfarë arrihet të bëhet kur, me të vërtetë, është liria dhe dinjiteti që kanë vlerë më shumë se çdo gjë në jetë.

Nuk ka shumë dallim mes atyre që qeverisin me dhunën e gënjeshtrave dhe atyre që i vënë ato në praktikë: Putin dhe populli i tij i kanë duart e zhytura në gjak.

Siç thotë kryebashkiaku i Dnipro-s, Borys Albertovich Filatov, “Ne jemi një popull që e duam lirinë, njerëz që kemi mësuar të votojmë në demokraci dhe që kemi zgjedhur vlerat e botës perëndimore. Ne nuk duam të jetojmë në botën ruse”.

Ukrainasit po vdesin për lirinë e tyre. Rusët jo.

Shënim: Artikulli është shkruar ekskluzivisht nga gazetari Stefano Marcelli për Albanian Post!  

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore